BSH ul sërish normën e interesit

28/03/2012 00:00

Pas një vendimi të beftë në janar, Banka e Shqipërisë vendos të ulë sërish në një minimum tjetër historik normën bazë të interesit.

“Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi të ulë me 0.25 pikë për qindje normën bazë të interesit, duke e zbritur në 4.25 për qind. Ky vendim u motivua nga rënia e balancës së presioneve inflacioniste dhe nga nevoja për rritjen e stimulit makroekonomik”, deklaroi guvernatori Ardian Fullani.

Që herën e fundit ekspertët prisnin nga Banka e Shqipërisë një ulje më të madhe të normës së interesit. Reagimi pak muaj më pas me të njëjtat arsye dëshmon se hijet e krizës ndërkombëtare nuk po fashiten, por po e mbajnë ende të errët tablonë e rritjes së ekonomisë vendase në të ardhmen.

“Presionet për ecurinë e pritur të ekonomisë së afërme mbështesin vlerësimet tona të mëparshme për një rritje pozitive, për një rritje potenciale në vitin në vazhdim. Megjithatë, rreziqet janë shtuar si rrjedhojë e zhvillimeve të pafavorshme ekonomike në tregjet botërore”, nënvizoi Fullani.

Ka edhe një arsye tjetër që e nxiti bankën të ulë shpejt normën e interesit. E gjendur e vetme në treg për t’i dhënë stimul ekonomisë, banka përdori armën e vetme që ka, normën e interesit për të lehtësuar kreditimin.

“Në tërësi ekonomia dhe rritja e saj me partnerët tregtarë pritet të jetë e ngadaltë dhe kushtet e favorizimit në Evropë do të jenë të ngushtuara. Kjo ka ardhur si pasojë e orientimit të politikave fiskale ndaj elementëve fiskalë”, shtoi Fullani.

Guvernatori shpreson se ulja e fundit e normës së interesit mund të nxisë rritjen ekonomike, por banka nuk e bën dot e vetme, ndaj zoti Fullani tha se biznesi shqiptar duhet të fillojë të përftiojë nga avantazhet që i jep kriza ndërkombëtare dhe se publiku nuk duhet të jetë pasiv, por të rrisë konsumin, pasi përfitimi nga kreditë me kosto më të lirë mund të jetë një shans.

Top Channel