PS, tryezë për biznesin

23/03/2012 00:00

Maratona e tryezave të PS për vjeljen e ideve në kuadër të programit për
një Rilindje Kombëtare ka vijuar me takimin e komuniteti e biznesit me
qëllim “mbështjetjen e biznesit për rimëkëmbje të ekonomisë”.

Kjo tryezë është pritur nga sipërmarrësit me interes që tregohej edhe nga pjesëmarrja e gjerë e tyre përtej pritshmërisë së organizatorëve. Pasi janë njohur me propozimet e PS që lidhen me biznesin, vetë drejtuesit e shoqatave të biznesit kanë shpalosur pikëpamjet e tyre, për propozimet e opozitës.

“Taksa progresive është fare e natyrshme të jetë e zbatueshme në Shqipëri në sektorët strategjikë, të mbyllur me ligj. Në sektorët e privilegjuar me leje shteterore dhe që sigurojnë fitime jo në kushte të konkurrencës së lirë, por si pasojë e lejeve që ka dhënë qeveria, në këto sektorë është e arsyeshme, edhe kjo bie edhe në konformitet me atë që thamë më parë për hapjen e tregjeve të bllokuara”, tha Gjergj Buxhuku, administrator, Konfindustria.

“Ju inkurajojmë për ligjin për Gjykatën Administrative. Ne kërkojmë që ju të jeni të vemendshme në përmbajtjen e këtij ligji shumë të rëndësishëm për ne. Shoqatat e biznesit duhet të jenë partnere sociale të qeverisë dhe të opozitës”, tha Luan Bregasi, president i “Bussines Albania”.

“Ne gëzohemi shumë që dëgjojmë shprehjen që ‘do të hiqen referencat’. Këtë e kemi dëgjuar që në 2006, 2007, janë gjëra që janë premtuar. Kemi marrë premtime edhe para 2005, por kur vjen puna edhe ulemi në tavolina e degjojme nga te njejtet persona se ky është një proces shumë i vështirë”, u shpreh Floreta Luli Faber, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Pasi ka vlerësuar propozimet e shprehura nga përfaqëuesit e biznesit, kreu opozitës Edi Rama është angazhuar për garantimin e konkurrencës së bazuar në meritë dhe për ndërtimin e një administrate publike të ndarë nga nepotizmi. Rama është ndalur edhe në progresivitetin e taksimit.

“Ne i qëndrojmë këtyre parimeve, por ne nuk jemi një e majtë dogmash, por jemi një e majtë vlerash. Ashtu sikundër për ne ajo që funksionon është ajo që duhet bërë pa u barrikaduar në llogore ideologjike, të cilave u ka ikur koha. Pa dashur të marr sot përgjigje unë dua t’ju bëj vetëm një pyetje: Mes një takse progresive dhe një takse të sheshtë, në kushtet kur ju keni referenca, keni gjoba, keni paparashikueshmëri të legjislacionit fiskal, keni kohë që shkon dëm, keni edhe një stres të jashtëzakonshëm për këto shkaqe, zgjidhni taksën e sheshtë me gjithë taksën e fshehtë, apo zgjidhni një taksim të ndershëm, që duhet shoqëruar me heqjen e gjithë këtyre elementëve të tjerë?, tha Rama.

Top Channel