Rama: Integrimi, 21 janari, presidenti…

19/03/2012 18:50

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se proçesi i integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane është në radhë të parë përgjegjësi e qeverisë.

Në një intervistë në studion e VOA, në Uashington, Rama ka deklaruar se përsa i përket opozitës, ajo i ka plotësuar detyrimet e saj dhe tani gjithçka varet nga vullneti i qeverisë për të plotësuar rekomandimet e Brukselit.

“Integrimi në BE është një proçes që ecën në bazë të rekomandimeve të BE-së. Ne kemi krijuar kushte për një konsensus në Parlament. Nuk kanë të gjithë të njëjtën përgjegjësi, përgjegjësia kryesore është e qeverisë. Opozita ka marrë përsipër pjesën që i takon. Ne do të bëjmë çfarë është në dorën tonë që Shqipëria të mos e humbasë për herë të tretë statusin e kandidatit”, ka deklaruar Rama.

I pyetur për reformën zgjedhore, lideri i opozitës ka nënvizuar se mes palëve janë hasur përplasje, për shkak se njëra prej tyre sipas tij nuk dëshiron të largohet nga veprimet “e papëlqyeshme” që janë regjistruar në proçeset elektorale të kaluara.

“Do të punojmë për reformën zgjedhore, që ajo të hartohet sipas rekomandimeve të ODIHR-it. Mund të ketë mosdakordësi për shkak të atyre problemeve të papëlqyeshme që janë verifikuar në zgjedhjet e tjera. Ne e kemi bërë të qartë se ka hapësirë për përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të një vlere të barabartë dhe përfaqësimi më të drejtë për të gjitha forcat politike”, ka nënvizuar Rama.

Ndërkohë, i pyetur mbi ngjarjen e 21 janarit, Rama ka mohuar që PS të ketë përgjegjësi për vrasjet dhe e ka vënë theksin tek ekzekutorët dhe urdhëruesit e tyre, që sipas tij janë përgjegjësit e vërtetë dhe që ligji nuk po i ndëshkon për krimin që kanë kryer.

“Mendoj se faktet flasin më mirë sesa çdo koment. 132 persona janë ndaluar, hetuar, gjykuar dhe kanë paguar pjesën e tyre të përgjegjësisë, në një proçes që është i pabarabartë, sepse ndërkohë që protestuesit kanë marrë përsipër gjithë pjesën e tyre të përgjegjësisë karshi ligjit, nga ana tjetër, ekzekutorët dhe urdhëruesit janë të pandëshkuar as moralisht, as politikisht dhe as para gjyqit. PS mbetet e qartë në qendrimin e saj. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe asnjëherë ajo nuk i është kundërvënë gjykimit të të gjithë atyre që janë në hetim”, ka theksuar Rama, duke hedhur poshtë hipotezat se PS ishte ajo që nxiti dhunën.

“Absolutisht jo. Drejtësia ka konkluduar se nuk ka asnjë provë që mund të vërtetojë hipotezën se pas shprehjes “së dhunshme” ka qendruar PS. Dhe për të marrë dëshmitë që do mund të çonin në këtë drejtim, njerëzit e ndaluar janë rrahur barbarisht në komisariatet e policisë dhe kjo është e provuar edhe në raportin e Komitetit të Helsinkit”, ka shtuar ai.

Në fund të intervistës, i pyetur për zgjedhjen e presidentit dhe nëse PS do ta mbështeste kandidaturën e ish-kryeministrit Nano, Rama ka dhënë këtë përgjigje:

“Qëndrimi i PS është i qartë dhe transparent. Ne mendojmë se Shqipërisë i duhet një president që të jetë garant i së drejtës dhe i institucioneve që varen prej tij, në mënyrë që të mbrojë interesat kombëtare. Ne nuk hyjmë në emra dhe nuk paragjykojmë askënd”, ka shtuar Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA