Goditja e parë nga nafta

18/03/2012 00:00

Rritja e shpejtë e çmimit të naftës në nivel rekord nuk është më një kërcënim në horizont, por një pasojë që po jepet efektin e parë në ekonominë vendase.

Ekspertë dhe përfaqësues të biznesit evidentojnë disa aspekte.

“Në fazën e parë do të kemi një rënie të prodhimit për çdo njësi industrial dhe kjo sjell rritjen e kostove bazë të prodhimit. Kjo gjë përkthehet në largim punonjësish, ndërsa më pas mund të shkojë në mbyllje të industrive që është shumë e rëndë”, shprehet Gjergj Buxhuku, përfaqësues i Konfindustrias.

“Nga rritja e çmimit të naftës e pëson bujqësia intensive, bujqësisë që del në treg, që punon me mekanikë bujqësore sepse është rritur shumë tarifa e punimit të tokës. Janë kosto shumë të shtrenjta për transportin sepse ky prodhim duhet dërguar në tregje. Gjithashtu ndikon në serat me ngrohje. Shumë njerëz kanë investuar në këto sera, por tashmë ngrohja me karburant del jashtë loje me rritjen e çmimit sepse kostot janë të papërballueshme”, shton Fatmir Beka, ekspert i shoqatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar.

Edhe pse situata duket fatale, ekspertët propozojnë rrugëzgjidhje të cilat mund të mbajnë nën kontroll kostot për ekonominë dhe konsumatorin.

“Unë mendoj se Shqipëria duhet të ngrejë Entin Rregullator të Karburanteve që të paktën të bindemi për lëvizjet e çmimeve dhe duhen marrë masa për të rregulluar atë që mund të rregullohet: përmirësimin e cilësisë”, shpjegon Buxhuku.

“Duhet menduar për energjitë alternative dhe duhet financuar për to. Kostoja që fiton shteti nëpërmjet taksave dhe tatimeve që merr nga importi i këtyre karburanteve do të duhet që të rikthehet në një mënyrë tjetër investuese”, deklaron Ismaili.

Ekspertët llogarisin se një rritje e çmimit të naftës me 10% në tregun ndërkombëtar rrit koston e ekonomisë shqiptare me rreth 0.5%.  

Institucionet ndërkombëtare financiare vlerësojnë se në kushtet aktuale të krizës ndërkombëtare kjo rritje e çmimit të naftës rrezikon rëndë ringritjen ekonomike.

Top Channel