Thatcher takoi Murdoch në vitet ‘80

17/03/2012 00:00

Margaret Thatcher ka pasur një takim sekret me Rupert Murdoch disa javë
përpara se ai të blinte gazetat “Times”. Kështu thonë disa dokumente të
publikuara së fundmi.

Një notë e sekretarit për shtyp Bernard Ingham thotë se, kryeministrja falenderoi zotin Murdoch që e “mbante të informuar”. Por çështja e diskutueshme nëse të referonte për takimin në komisionet parlamentare nuk u ngrit.

Historia zyrtare e “Times” thotë se nuk ka pasur kontakt direkt mes Thatcher dhe Murdoch në atë kohë. Dokumentat po publikohen nga arkivi i Thatcher.

Nota nga zoti Ingham, që u bë Sir Bernard në vitin 1990, i referohet një dreke me zotin Murdoch më 4 janar të vitit 1981, “që duhej trajtuar në konfidencë”.

Dokumenti detajon synimin e presidentit të Neës Group për të blerë zinxhirin e gazetave “Times” dhe suplementet e tyre nga familja Thomson.

Ndërsa dokumenta të tjera nga arkivi zbulojnë rebelimin e fshehur të disa deputetëve dhe për letrën që vetë Thatcher i ka dërguar një vajze, prindërit e të cilës po divorcoheshin.

Sipas Sir Bernard, zoti Murdoch i tha zonjës Thatcher se dëshironte ta bënte operacionin për gazetat “Times” fitimprurës duke futur teknologji të re dhe duke reduktuar me 25 për qind stafin drejtues. Gjithashtu, gjatë takimit ai theksoi se progresi gradual ishte i pashmangshëm.

Kohët e fundit perandoria mediatike e manjatit australian është lëkundur për shkak të skandalit të përgjimeve telefonike dhe ryshfeteve që kompania e tij u jepte zyrtarëve në këmbim të informacioneve. Aferat në fjalë bënë që policia britanike të arrestonte muajin e kaluar pesë gazetarë të “The Sun”.

Po muajin e kaluar Cherie Blair, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik, paditi “News International” dhe një detektiv privat të përfshirë në skandalin e përgjimeve të celularëve për llogari të ish-së përjavshmes “News of the World”.

I gjendur mes këtyre aferave, James Murdoch, i biri i Rupert, dha dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të News International, kompania që zotëron gazetën “The Sun” dhe të tjerat që mbajnë titullin “Times”.

Top Channel