Korrupsioni shpartallon kryeministrin

17/03/2012 00:00

Andrea Stefani – Një të tillë truk përdori ai dhe vite më parë kur pas tragjedisë së
Gërdecit u gërmua nga gazetarë të huaj për gjendjen e korrupsionit në
vend.

Por, për fatin e keq të Berishës, korrupsioni i lartë nuk është thjesht një perceptim i shqiptarëve, por një konkluzion tashmë i fiksuar ndër vite në raport-progreset e Bashkimit Europian (BE) apo monitorimet e “Transparency International” që nënvizojnë përkeqësimin. Sikundër theksoi edhe deputeti i opozitës, Taulant Balla, në vitin 2008 Shqipëria renditej në vendin e 85-të me një indikator korrupsioni 3.1 ndërsa në vitin 2011 kishte rënë 10 vende më poshtë. Po kështu, bilancet vjetore të progresit të bëra nga BE, pohojnë se situata e korrupsionit, lëvizur përvitshëm nga “problem serioz” që klasifikohej në vitin 2008 në problem “shumë serioz” në vitin 2011. Por cila ishte përgjigjja e Kryeministrit? Duke mos u përballur dot me faktet Berisha zgjodhi të luajë me fjalë. Ai deklaroi se sa kohë të jetë në pushtet do ta konsiderojë luftën kundër korrupsionit një “problem serioz”. Një bishtnim që nuk ndal dot logjikën e thjeshtë që i kundërpërgjigjet Kryeministrit: Nëse do ta kishit trajtuar luftën kundër korrupsionit si një problem serioz gjatë 8 viteve të qeverisjes tuaj, sot korrupsioni nuk do të ishte një problem shumë serioz. Nuk e shpëtojnë dot Berishën as flamuri i prokurimeve elektronike i rreckosur nga korrupsioni dhe as deklarimet mbi rritjen e të ardhurave në buxhet. Sepse duke qenë një dukuri reale korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm virtualisht dhe se më shumë se me mbledhjen e parave, korrupsioni i një qeverie është, mbi të gjitha, çështje se si shpenzohen paratë e publikut.

* * *

Dhe në shpenzimin e parave dhe pasurive publike, qeveria “Berisha” ka regjistruar skandalet më të mëdha të këtij tranzicioni 20-vjeçar që kulmojnë me ato të rrugës Durrës-Kukës dhe me tragjedinë e Gërdecit. Në të parin bëhet fjalë për mbi 200 milionë euro të abuzuara ndërsa në të dytin bëhet falë për një aktivitet mafioz duke pasur për lëndë të parë pasurinë publike, aktivitet që u finalizua me vrasjen e 26 vetëve dhe rrënimin e disa fshatrave. Në këto dy skandale korruptive vetë Berisha, por edhe disa ministra pranë tij kanë mundur t’i shpëtojnë drejtësisë me anë manipulimesh procedurale dhe me vendime gjykatash të kapura që kanë ngjallur jo pak indinjatë në publik.

Që Kryeministri nuk iu përgjigj akuzave të ngritura nga deputeti Balla për përfshirjen e fëmijëve të tij në veprimtari korruptive mjaft fitimprurëse, u zbulua qartë si “thembra e Akilit” e Berishës. Përpjekja për ta devijuar debatin duke i etiketuar deputetët e opozitës si pasardhës të Ramiz Alisë ishte një politizim vulgar që korri vetëm ca duartrokitje të mekura të deputetëve të oborrit që ushqehen me thërrimet e gostisë korruptive të qeverisë. Por edhe në këto momente kur e ndien se po i trandet nën këmbë vullkani i korrupsionit që vetë e ka ndezur, Berisha nuk heq dorë për ta kthyer situatën në favor të përjetësimit të tij në pushtet. Hiqni imunitetet që të tregoni vullnet për luftë kundër korrupsionit – iu drejtua ai opozitës. Dhe opozitarët do të tregoheshin leshko të vërtetë sikur prapa ofertës dhelparake të maskuar me “vullnet” për luftë kundër korrupsionit të mos shikonin kthetrat e ujkut të vjetër autokrat që mezi pret të kollofisë opozitën. Dhe si? Është fare e thjeshtë. Edhe pak muaj na ndajnë nga momenti kur Berisha mezi po pret të zgjedhë me votat e shumicës së tij Presidentin e Republikës dhe pas kësaj edhe Kryeprokurorin e Republikës. Me të realizuar këta dy objektiva, e di vetë Berisha se si ta “luftojë korrupsionin” me prokurorë e gjyqtarë të vënë në shërbim të tij. Antikorrupsioni do shndërrohej në një gjueti shtrigash kundër opozitës. Dhe po t’i kërkojë ndokush llogari se përse pjesa dërrmuese e të ndëshkuarve i përkasin kampit opozitar Berisha do ta kishte gati përgjigjen: Ndëshkimi i të korruptuarve është atribut i organeve “të pavarura” të drejtësisë. Është e vërtetë, heqja e imuniteteve për gjyqtarë e politikanë lehtëson luftën kundër korrupsionit. Por vetëm në kushtet e një sistemi me prokurori dhe gjykata realisht të pavarura. Sa kohë këto nuk ekzistojnë, heqja e imuniteteve (i propozuar gabimisht edhe nga disa ndërkombëtarë) do t’i shërbente vetëm fuqizimit të pushtetit të autokratit Berisha që, tashmë edhe për shkak të korruptimit të qeverisjes, nuk kërkon të qeverisë, por ta sundojë Shqipërinë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel