Shpërdorimi i energjisë, 300 mln euro/vit

16/03/2012 00:00

Ekspertët thonë se ekonomia kombëtare humbet deri në 300 milionë euro në vit nga shpërdorimet i energjisë elektrike.

“Me 10 për qind eficencë, janë as më shumë, as më pak rreth 700 milionë kilovatorë energji elektrike në vit dhe 90 mijë tonë nënprodukte nafte që importohen, të cilat do të konsumohen më pak, me 20 për qind të rritjes së eficensës së përdorimit deri në 1.4 miliardë kilovatorë energji elektrike në vit dhe 180 mijë tonë nënprodukte nafte”, tha Pajtim Bello.

Qeveritë kanë tentuar më parë ta zgjidhin këtë ngërç me humbje të mëdha për ekonominë, por deri tani kanë dështuar. Ekspertët thonë se dy janë shkaqet kryesore dhe i pari lidhet me mungesën e strukturave që kontrollojnë zbatimin e ligjit.

“Nuk ekziston në zyrat urbanistike në këshillin teknik të urbanistikës që miraton projektet, nuk ekziston absolutisht një numër njerëzish ose një specialist i vetëm që të bëjnë kontrollin e projekteve, e parë në këtë vështrim”, thotë arkitekti Artan Shkreli.

Shkaku i dytë lidhet me koston. Përdorimi i materialeve që rrisin eficencën e energjisë nuk shikohen me leverdi nga ndërtuesit.

“Për një sasi ndërhyrjesh, të cilat nga pikëpamja e një investitori privat, pa një ndërhyrje, pa një iniciativë qoftë edhe subvencionuese të pjesshme, nuk do të rezultonin interesante ekonomisht sepse kanë afat shlyerje shumë të gjatë”, thotë Arben Bicoku, arkitekt.

Ekspertët thonë se ka një zgjidhje, që është ajo e subvencioneve nga qeveria përmes një fondi të vecantë, ekstrabuxhetor.

“Fondi i eficensës së energjisë duhet të krijohet, që të jetë jashtë linjës së buxhetit. Nëse është brenda kësaj linje nuk ecën”, thotë Besim Islami, ish-kryetar i AKE-s.

Qeveria po përgatit një ligj të ri për eficencën e energjisë, i cili amendon ligjet ekzistuese. Por të mbledhur në një takim nga akademia e studimeve politike, ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse nuk do të ngrihen strukturat përkatëse për zbatimin e ligjit dhe pa fondin e eficencës edhe këtë herë tentative do të dështojë. Me rezultate e kesaj tryeze pritet te hartohet nje dokument rekomandues qe do i dergohet kuvend per t’u pasqyruar ne ligj.

Top Channel