Amnistia fiskale drejt fundit

16/03/2012 00:00

Ministria e Financave bëri publike shifrat e amnistisë fiskale, 2 javë përpara përfundimit të procesit. Sipas zëvendës/ministrit të Financave, Alfred Rrushaj, janë legalizuar kapitale të konsideruehsme, ndërkohë që buxheti i shtetit ka përfituar rreth 20 milion dollarë taksa.

“Në total kapitali i rivlerësuar, pra kapitali që është hedhur në treg si i legalizuar, është në vlerën rreth 165 miliard lekë. Janë falur ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve, mundësitë për rivlerësim rreth 42 miliard lekë, apo 420 milion dollarë, që në fakt individët dhe bizneset i kanë në duart e tyre si kapitale. I gjithë kapitali i falur, tatimi i paguar për të është 2 miliard lekë, apo 20 milion dollarë”, tha Rrushaj.   

Me aktivë duket se kanë qenë individët që kanë rivlerësuar apo legalizuar asete të paluajtëshme, ndërsa biznesi nuk ka qenë në pritshmërinë e financave.   

“Nëse do të përmendja dy aspektet të cilat nuk kanë qenë në priteshmëritë tona, të paktën deri më tani, pasi 2 javë nuk janë pak për të ndryshuar mendim, legalizimi i parave kesh nga individët. Ne prisnim që nga kjo të përfitonin më shumë individë dhe bizneset nuk kanë përfituar aq sa ne mendonim që do të përfitonin nga ky process”, shtoi zv/ministri i Financave.

Rrushaj nënvizoi se nuk do të ketë shtyrje të aftit përtej 31 marsit. Nga ana tjetër, sipas tij, bizneset i kanë të gjitha garancitë ligjore për të shrytëzuar kohën e mbetur.

“Ligji ofron të gjitha garancitë për cdo subjekt që përfiton nga institucionet e tij, përfshirë këtu edhe bizneset, që nëse marrin pjesë në këtë proces, kapitalet e tyre të rivlerësuar të jenë plotësisht të mbrojtura pas përfundimit të ligjit”, sqaroi Rrushaj.

Top Channel