Një i 58-vjeçar i paralizuar në Britaninë e Madhe fitoi të drejtën për të parashtruar kërkesat e tij për dhënien fund të jetës në mënyrë institucionale, në një vendim historik të Gjykatës së Lartë pro “eutanazisë”.
Gjykata e Shkallës së Parë kishte referuar çështjen ne organet më të larta të drejtësisë britanike për mungesë kompetence në gjykim, me ligjet që nuk parashikojnë një rast të tillë dhe tani ajo është udhëruar që të vazhdojë në trajtimin e çështjes.
Tony Nicklinson, nga Melksham, pësoi një infarkt në vitin 2005 dhe që prej atëherë, është krejtësisht i paralizuar dhe i paaftë që të kryejë vetvrasje. Ai sfidoi ligjet britanike, që pengojnë dhënien ligjore fund të jetës, duke kërkuar që një profesionist t’i japë fund vuajtjeve të tij.
Në një vendim të dhënë ditën e hënë, Gjykata e Lartë vendosi se Nicklinson mund të vazhdojë përpara dhe të prezantojë çështjen e tij në gjykatë, ku mund të dëgjohen argumentat dhe vlerësimet mjekësore. Megjithatë, sipas ekspertëve, ka shumë pak gjasa që kërkesa e tij të aprovohet, pa ndryshuar ligjet në fuqi.
Në një deklaratë, Ministria e Drejtësisë kritikoi vendimin, me arsyetimin se ai i hap rrugë ndryshimit të ligjeve në fuqi dhe institucionalizimit të vrasjes.
Sindroma nga i cili 58-vjeçari vuan lë trupin krejtësisht të paralizuar, por mendjen funksionale. Nicklinson nuk mund të jetojë pa një kujdes të përditshëm nga familjarët e tij dhe duhet të qëndrojë gjatë të gjithë kohës i lidhur me disa pajisje, të cilat i mundësojnë të marrë frymë.
Top Channel