“Luftë” për ish të përndjekurit

12/03/2012 00:00

Një ndryshim i ri, që qeveria ka propozuar në ligjin për dëmshpërlimin e
ish të përndjekurve ka nxehur debatin politik mes maxhorancës dhe
opozitës për këtë shtresë.

Drafti synon që 400 ish të përndjekur mbi 85 vjec të dëmshpërblehen me procedura më të përshpejtuara se pjesa tjetër.

“Ndryshimet që keni sjellë nuk do të jenë të mundshme të zbatohen ashtu sic mund të keni zbatuar edhe vendimet apo ligjin e mëparshëm, kur vijnë këtu vetëm për arsye demagogjike të momentit. Do të japim një mendim patjetër do të shprehemi në seancë, pasi të kemi marrë të gjitha të dhënat që folëm këtu dhe ju kërkuam”, tha deputetja socialiste, Mimi Kodheli.

Deputeti demokrat Flamur Noka u shpreh se përpara se socialistët të flasin për këtë ligj dhe këtë shtresë, minimumi që duhej bërë për vitet e mëparshme, ishte një deklaratë për të dënuar krimet e regjimit ndaj kësaj shtrese të përvuajtur dhe të përsekutuar.

Në vitin 2007 qeveria bëri ligjin e parë për kompensimin e të përndjekurve dhe në atë kohë llogariti se fatura financiare ishte rreth 50 miliardë lekë. Fillimisht u vendos që dëmshpërblimi do të kryhej në 8 vjet, por kur kanë kaluar 5 vjet ritmet e kompensimit janë shumë larg.

“Ne ju kemi sqaruar moralisht që të mos i gënjeni këta njerëz. Nëse do të mendoni se do t’i kompensoni të gjithë, ata që e meritojnë plotësisht, ata kanë për ta humbur”, tha deputeti socialist, Arben Manaj.

Opozita nuk mori pjesë në votim, sepse mendon se ligji së pari nuk ka garanci financiare dhe së dyti kërkoi që mosha për ata që dëmshpërblehen me procedura të shpejta të ulet më shumë.

Por fondi vjetor që qeveria ka vënë për kompensimi e të përndjekurve është 1.7 miliardë lekë dhe nëse mosha ulet nuk ka para.

Ish-të përndjekurit kanë qenë një grup, historikisht i lidhur me të djathtën, por kohët e fundit vëmendja politike mbi ta është rritur. Pak ditë më parë, Partia Socialiste organizoi një tryezë me përfaqësues të kësaj shtrese, ndërsa presidenti Bamir Topi akuzoi haptazi kryeministrin, se për 20 vjet ka bërë demogagogji, me ata që kanë vuajtur nga regjimi komunist.     

Top Channel