Qeveria, masa për sezonin turistik

10/03/2012 00:00

Që gjërat mos të lihen për në minutë të fundit, kur të ketë nisur sezoni
turistik, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në mbledhjen Grupit te
Punës për Çështjet e Ujit dhe Kanalizimeve, dhënien e përparësisë absolute përfundimit te procesit të kanalizimeve dhe të impianteve të
përpunimit, veçanërisht në zonat turistike.

“Arritja më e madhe është që sot, në sajë të investimeve të gjithanshme, qoftë të Ministrisë së Punëve Publike, por edhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, mbi 95 për qind e shqiptarëve marrin ujë rubineti, natyrisht jo 24 orë. Këto vite, është rritur me 55 për qind, në shkallë vendi, aksesi në kanalizime. E vërteta është që, në rast se në drejtim të furnizimit me ujë ka një realitet të ri dhe që duhet përmirësuar përsëri, në drejtim të kanalizimeve dhe të trajtimit të ujërave të ndotura dhe të mbetjeve që dalin prej tyre, kërkohet një veprim shumë energjik”, tha Berisha.

Ministria e Mjedisit,- tha kryeministri – duhet të praktikojë qëndrimet më të rrepta, ndaj të gjithë atyre strukturave vendore që nuk trajtojnë mbi baza ligjore problemet e lidhura me gropat septike.

“Ministria e Mjedisit duhet të praktikojë qëndrimet më të rrepta, ndaj të gjithë atyre që nuk trajtojnë mbi baza ligjore problemet e lidhura me gropat septike. Duhet të krijohet një realitet i ri, një praktikë e re në qëndrimin ndaj tyre. Ne po ndërtojmë një seri impiantesh dhe duhet të bëjmë gjithçka që të shpejtojmë punimet, të bëjmë gjithçka që kontratat të zbatohen me rigorozitet, qoftë për kanalizimin, për ndërtimin e kolektorit, për lidhjen e tij me impiantin. Ka vonesa në disa prej këtyre impianteve, në disa prej këtyre sistemeve. Unë gjykoj se këtë vit duhet të bëjmë gjithçka për të shpejtuar punimet në këto sisteme që janë faktikisht në përfundim e sipër. Pra, kërkohet angazhimi ynë total për t’i vënë ato në funksion, në Durrës, në Vlorë, Sarandë, në Velipojë, Golem e vende të tjera”, tha Berisha.

Top Channel