12 kushtet e BE-së për Shqipërinë

10/03/2012 00:00

Pas kërkesës zyrtare të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian,
në pranverë të vitit 2009 në Pragë, në Opinionin e Nëntorit 2010,
Komisioni Europian u përgjigj me caktimin e 12 kushteve për këtë qëllim.

Në raport-progresin e një viti më vonë u evidentua se vendi nuk kishte përmbushur asnjë të vetëm, duke iu refuzuar për të dytën herë dhënia e statusit kandidat. Por çfarë ndodh aktualisht?

Të qepura sipas realitetit në vend, katër prioritetet e para ngërthejnë problemin kryesor: politikën, me përgjegjësi si për mazhorancën ashtu dhe opozitën. Aktualisht, votimi i ligjeve me 3/5, prioriteti numer 2, është i vetmi afër përmbylljes. Pas votimit të Kodeve Penale, Civile, Rrugore, Hekurudhore, Ajrore, dhe Detare, mbetet votimi mbi Gjykatën Administrative. Emërimi i Avokatit të Popullit përmbushi përgjysmë prioritetin numer 3, ku gjysma tjetër mbetet depolitizimi në emërimet nga Parlamenti të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Dialogu në vend të retorikës politike, funksionimi i duhur i Parlamentit, reformimi i rregullores, përbëjnë prioritetin e parë, i cili së bashku me reformën zgjedhore, prioritetin e katërt, janë ende në fazën fillestare të punës. Mbetet pezull prioriteti numer 5, pasi zgjedhjet lokale të majit 2011 përmbushën vetëm pjesërisht standardet ndërkombëtare, ndërkohë që zgjedhjet e radhës parashikohen në vitin 2013.

Reforma në Administratën Publike dhe ajo në Drejtësi varen gjithashtu në disa pjesë nga bashkëpunimi ndër-partiak, pasi votimi i disa ligjeve për administratën kërkon 3/5, njësoj si ai për Gjykatën Administrative. Por përveç prioriteteve 6 dhe 7, ku barra kryesore bie mbi institucionet e shtetit, edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, për çështjen pazgjidhur të pronave e deri tek kujdesi për gratë, fëmijët, romët e paraplegjikët si dhe për kushtet e të burgosurve, Tiranës zyrtare i kërkohet, përtej planeve, projekt-ligjeve e vendimeve, të provojë zbatim, me gjurmë provash e rezultate.

Për të zbuluar më mirë ku jemi me përmbushjen e kushteve të vëna na ndihmon dokumenti që qeveria ka kohë që e korrigjon vazhdimisht me Brukselin: Plani i Veprimit për përmbushjen e 12 kritereve.

Një nga ndihmesat e Komisionit Europian për palën shqiptare janë këshillat apo komentet, sic quhen për përmirësimin e këtij plani. I mbushur me detaje tepër teknike, TCH ka përzgjedhur disa citime ilustruese nga dokumenti konfidencial, i siguruar nga burime diplomatike në Bruksel:

“Mirëpresim përmirësimet e konsiderueshme të Planit të Veprimit në shumë fusha, i cili tani është më i kompletuar dhe ka pëfshirë një shumicë komentesh që mori nga Komisioni në vitin 2011. Sërish përmirësimet janë të pa-barabarta dhe me mangësi të mëdha në fusha të ndryshme.

Ky plan konsiderohet si bazë e mirë për zbatimin e reformave kyçe dhe si dokument “ i gjallë” për shkak të ndryshimeve që do të kërkojë në kohë. Përtej planifikimit të mirë në këtë PV, theksi duhet të vihet tek plotësimi dhe thellimi i zbatimit të reformave për të gjeneruar rezultate konkrete dhe të prekshme.”

(Prioriteti 6: Administrata)“E ardhmja e Komisionit të Shërbimit Civil duhet të sqarohet, pasi ka një kontradiktë të plotë mes Planit të Veprimit që parashikon përforcimin e tij, dhe projekt-ligjit për shërbimin civil, i cili pritet të diskutohet në komisionin e ligjeve në Parlament, ku planifikohet shkrirja e këtij Komisioni. Në besojmë se kjo shkon në drejtimin e gabuar.”

(Prioriteti 7: Drejtësia)“Çështjet kryesore që kërkohen në kuadrin ligjor janë: qasja aktuale në çështjen madhore të pavarësisë së Gjyqësorit. Masat për të reformuar emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Situata aktuale e masave që synojnë promovimin e paanësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqtarëve apo prokurorëve…

Në lidhje me zbatimin, kërkohen të dhëna për procedimet disiplinore për gjykatësit dhe prokurorët, publikimin e vendimit të gjykatave, sistemin e parandalimit të ndërprerjes apo shtyrjes të zhvillimit të seancave gjyqësore si dhe për sistemin e ndëshkimit të gjykatësve në rastet e abuzimit me procedurat.”

(Prioriteti 8: Korrupsioni)“Cilat janë masat e veçanta dhe kohëzgjatja që ka parashikuar Shqipëria për të adresuar shqetësimin mbi imunitetin e pakufizuar të zyrtarëve të lartë publikë ? Cilat janë masat e parashikuara për të shënjestruar në mënyrë aktive hetimet e pasurive të pajustifikuara? Cilat janë masat që janë parashikuar për përmirësimin e hetimit financiar në rastet e korrupsionit? A mos do të ishte e duhur një strategji dhe një plan veprimi i veçantë për të luftuar korrupsionin në gjyqësor ?

(Prioriteti 9: Krimi)“Megjithë rritjen e konsiderueshme në konfiskime, rezultatet e arritura mbeten të kufizuara. Nuk ka të dhëna mbi dënimet për pastrim parash. Edhe informacioni mbi transaksionet e dyshimta duhet përmirësuar. Çështjet që lidhin pastrimin e parave me aktivitete të tjera kriminale duhen adresuar nëpërmjet hetimeve më proaktive.”

Shanset për rekomandim pozitiv për statusin kandidat në vjeshtën e 100 vjetorit të Shqipërisë, apo edhe për çeljen e negociatave për anëtarësim, varen pjesërisht nga përparimi konkret në prioritetet politike me përgjegjësi ndër-partiake, si përshembull reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Dhe për pjesën tjetër, se sa bindëse do të jenë për Brukselin gjurmët e provave që do të dorëzojë Tirana zyrtare edhe për prioritetet e tjera të rëndësishme si çështja e pronave, të drejtat e njeriut dhe trajtimi i të burgosurve, të papërmbushura ende siç duhet. Me zgjedhjet presidenciale në mes, deri në tetor, Shqipërisë i kanë mbetur edhe shtatë muaj kohë.

Përgatitën: Arta Tozaj, Ernest Bunguri 

Top Channel