Itali, ekspozita për partizanët në Shqipëri

05/03/2012 12:25

“Nga pushtues në luftëtarë të lirisë”. Është ky titulli sugjestiv i ekspozitës që shoqëroi në qytetin e Cuneos një sërë aktivitetesh përkujtimore të organizuara nga Shtëpia e Rezistencës së Fondotoce, më e madhja në Europë.

Takimet bashkuan ish-partizanë italianë të batalionit Gramshi me veteranë shqiptarë, në një atmosfere ngrohtësie dhe malli. 96-vjeçari Battista Cavallotto, zëvendëskomandanti i formacionit Gramshi, ai i krijuar nga ushtarët italianë që kishin mbetur në Shqipëri, me gjithë moshën e shkuar nuk ka harruar atë periudhë dhe në takim çoi flamurin origjinal të Brigadës Gramshi.

E si në një film, mes mallëngjimit të përgjithshëm, ai takoi pas 68 vjetësh shokun e tij të armëve, veteranin shqiptar Ziqiri Mero i ardhur posaçërisht nga Shqipëria.

Seria e fotografive bardhë e zi të ekspozuara, e që më pas do të mblidhen në një libër, i përkasin periudhës 1943-1944. Një periudhë e shtrenjtë për të gjithë ata ish-ushtarë italianë që shkuan në Shqipëri si pushtues dhe u kthyen në atdhe me Shqipërinë në zemër, aq sa nuk e kanë harruar as pas dhjetëra vjet.

Top Channel