Fëmijët e dhunuar të metropolit

28/02/2012 15:35

Fëmijët që jetojnë në qytete të mëdha dhe që vijnë nga familje të varfëra e ndiejnë më shumë hendekun dhe pabarazinë.

Në kryeqytet, janë me qindra fëmijë që nuk shkojnë në shkollë, që nuk jetojnë në banesa apo që nuk kanë akses në shërbime sociale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në këtë takim me fëmijet ka premtuar se Bashkia do të marrë një sërë masash që jetesa e tyre të përmirësohet.

“Prej kohësh po hartojmë një plan masash për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të varfër, plan që nis me evidentimin e atyre që shkojnë në shkollë dhe jo, për t’i regjistruar të gjithë që të shkojnë në shkollë dhe për t’i ndihmuar me tekstet shkollore, por edhe për t’iu ndihmuar pas orarit të shkollës, për ata që kanë nevojë për mësim ekstra apo të tjerë për t’i përfshirë në aktivitete sportive apo kulturore”, deklaroi Basha.

Ambasadori i UNICEF-it, Detlefit Palm, ka kërkuar që të identifikohen pabarazitë midis fëmijëve që jetojnë në zonat urbane, në mënyrë që të përmirësohen shërbimet ndaj tyre.

“Shoqëritë me pabarazi krijojnë probleme për veten e tyre, por fëmijët janë të barabartë dhe duhet të gëzojnë të drejta bazë pavarësisht se sa të pasur janë prindërit e tyre. Kur ne mendojmë për varfërine, gjëja më e parë që na vjen në mendje janë fëmijet që jetojnë në zonat rurale. Por sot, një numër në rritje fëmijësh që jetojnë në qytet në zona të varfëra  janë grupi më i  rrezikuar ndaj urbanizimit”, deklaroi Palm.

Ambasadori i UNICEF-it i ka dorezuar Bashkise se Tiranes edhe raportin femijet ne boten urbane 2012 dhe i kërkon qeverise të vërë fëmijët ne zemër te planifikimit urban si dhe te zgjeroje dhe te përmiresoje shërbimet për të gjithë.

Top Channel