Qindra qytetarë të Kosovës më anë të protestës kundërshtuan marrëveshjen Prishtinë-Beograd, sipas të cilës Kosova në forumet rajonale do të mund të përfaqësohet vetëm duke u shoqëruar me fusnotën në të cilën është përfshirë rezoluta 12-44 e Këshillit të Sigurimit.

Protesta e organizuar nga LëvizjaVetëvendosje u shoqërua me pankarta dhe thirrje të ndryshme në kundërshtim të marrëveshjes. Ndërkohë, gjatë gjithë protestës përreth objektit të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ishin vendosur forca të shumta policie.

“Do të presim 15 minuta policinë e Kosovës për të hequr këto barrikada. Pas kësaj pjesëmarrësit në demostratë do të vendosën te sheshi Skëndebej atje ku e kemi planifikuar.

Pak minuta pas orës 13 protestuesit e Vetëvendosjes thyen kordonin e Policisë së Kosovës te sheshi “Skënderbeu”. Ata u afruan ndërtesës së qeverisë, ndërsa policia nuk i pengoi ata.

Në temperatura të ulëta nën 0 gradë celcius, protestuesit për katër orë vazhduan protestën duke thërritur në mbrojtje të Republikës. Gjatë protestës u mbajtën fjalime nga anëtarët e kryesisë, anëtarët e VV-së  dhe jo vetëm.

“Asnjë shtet në botë nuk e ka emrin me fusnotë, i vetmi shtet në botë që ka emrin me fusnotë është Kosova, prandaj kjo qeveri nuk po na bashkon me botën, kjo qeveri nuk po na bën si e gjithë bota, por kjo qeveri po na ndan nga bota e po na bën të ndryshëm nga e gjithë bota”, deklaroi lideri VV, Albin Kurti.

Protesta u përmbyll me një fjalim të bërë nga lideri i VV-së Albin Kurti. Gjatë fjalimit Kurti paralajmëroi që pranvera do të jetë nismë e protestave të reja, jo vetëm në kryeqytetin e Kosovës, por në të gjitha qytetet e vendit.

“Nuk e kanë hequr fjalën Republikë nga Kosovë për të përfunduar kompromiset dhe lëshimet, por për të dobësuar shtetin që të japin më lehtë autonominë për veriun e Kosovës. Këta i shesin mend popullit dhe bëhen si pula para ndërkombëtarëve, para të tjerëve bëhen servilë, para qytetarëve janë mizorë”, vijoi Kurti para mbështetësve të VV.

Qeveria kosovare, nëpërmjet një deklarate ka shprehur mirënjohjen e saj për qytetarët, të cilët protestuan në mënyrë paqësore, ndërkohë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj lidhur me veprimet manipuluese politike të Lëvizjes Vetëvendosje për t’i nxjerrë në protestë qytetarët e Kosovës, që nuk e fshehin qëllimin e saj për ta rrëmbyer pushtetin demokratik nëpërmjet protestave”, thuhet në komunikatë.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel