Fier, shpërthim gazi, një i vdekur

26/02/2012 12:40

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Sheq të Fierit, pranë fabrikës së tullave ku një person vdiq dhe një tjeter u plagos ndërsa tentuan të sharronin një tub gazi, të cilin më pas do e shisnin me qëllim përfitimi, për skrap.

Rreth orës 12:00 një i ri ka gjetur vdekjen nga shpërthimi i gazit, kurse një tjetër u asfiksua dhe në gjendje të rëndë është dërguar në spital. Policia e Fierit bën të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi prane lumit Seman në një pusetë ku kalonin tubacione gazi.

Dy të rinjtë, Ilmi Xhepi 22 vjeç dhe V.P, 53 vjeç kanë prerë me sharrë një tubacion gazi që kalonte në zonë pa patur dijeni se linja e gazit ishte ende ne funksionim. Dyshohet se sasia e gazit qe shpërtheu nga tubi i mori menjëherë jetën 22-vjeçarit, ndërsa në gjendje të asfiksuar është dërguar në spital 53-vjeçari që shoqëronte të riun që humbi jetën.

Burime nga spitali rajonal shprehen se 53-vjeçari vijon të jetë në gjendje të rëndë.Të rinjtë u gjetën nga punonjës të sektorit të naftës, ndërsa në vendgjarje policia sekuestroi dhe një sharrë që ishte përdorur për prerjen e tubave.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia dyshon se të rinjtë e kryenin këtë aktivitet prej pak kohësh. Ata prisnin tuba dhe i shisnin për skrap duke fituar në këtë mënyrë para.

Top Channel