Vlorë, studimi për gazsjellësin

24/02/2012 08:15

Kompania që menaxhon projektin e gazsjellësit Trans Adriatik njoftoi dje fillimin e punimeve për studimin e terrenit detar pranë zonës së Vlorës, me qëllim që të përcaktojë vendin e përshtatshëm për kalimin e tubacionit që do të transportojë gaz nga Deti Kaspik për në Itali.

“Studimi i nëndetit po kryhet nga projekti TAP me mbështetjen e nënkontraktorit D’Appolonia, një lider italian në inxhinieri me kompetenca të thella në inxhinierinë e ndërtimit, gjeoteknike dhe mjedisore, gjeologji, gjeofizikë, hidrologji dhe hidraulikë”, thuhet në njoftimin për shtyp, të raportuar nga gazeta “Shqip”.

Albert Haak, menaxher i TAP për Shqipërinë, ka thënë: “Studimi detar kryhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare për mjedisin dhe sigurinë. TAP ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për ta kryer këtë studim nga autoritetet e portit dhe Ministritë, duke përfshirë dhe Ministrinë e Mjedisit. Analiza e detajuar e shtratit të detit është e nevojshme për të vendosur mbi gjurmën e saktë në det të hapur dhe për punimet e mëtejshme inxhinierike në lidhje me tubacionin”.

TAP theksoi gjithashtu se ndërtimi i gazsjellësit do të kryhet vetëm në rast se ky projekt përzgjidhet nga konsorciumi Shah Deniz II dhe në rast se gjithçka shkon mirë, punimet e ndërtimit do të fillojnë nga viti 2015.

TAP do të hyjë në Shqipëri në Miras të Korçës dhe do të vijojë për 209 kilometra deri në bregun e Semanit. Tubacioni do të jetë në dy metra thellësi nën tokë dhe konsorciumi do të paguajë qira për të drejtën e kalimit.

Shanset e TAP për sukses u rritën ndjeshëm së fundmi, kur konsorciumi Shah Deniz vendosi të refuzojë një ofertë konkurrente italo-greke që synonte të anashkalonte Shqipërinë. Anashkalimi i Shqipërisë sillte rritjen e kostos për shkak se tubacioni nënujor është tri herë më i kushtueshëm se ai tokësor dhe se distanca mes brigjeve të Greqisë dhe atyre të Italisë, është shumë më e madhe se sa distanca mes Shqipërisë dhe Italisë.

TAP përballet aktualisht me mungesën e një partneri në Greqi e Itali dhe po kërkon bashkëpunim në këto dy vende për të siguruar licencat nga qeveritë përkatëse. Ndërkohë, Shqipëria i ka dhënë pa kushte licencat.

Top Channel