Fshati Shtyllë, dy muaj në izolim

24/02/2012 12:45

Fshatrat e komunës Vithkuq në Korçë janë në një lartësi prej 1500 metra nga niveli i detit dhe reshjet e dëborës aty kanë arritur në nivele rekord.

Për shkak të sasisë së madhe, rruga është shumë e vështirë për tu hapur dhe vetëm ditët e fundit banorët e këtyre fshatrave kanë mundur të hapin disa shtigje për të ecur në këmbë drejt qendrave që kanë komunikim me Korçën. Fshati Shtyllë në këtë komunë ka qendruar dy muaj i bllokuar aq sa në dyqane përfunduan gjithë furnizimet.

Banorët e këtij fshati ankohen se për shkak të izolimit po u përfundojnë rezervat ushqimore.

“Kemi një muaj e gjysmë të izoluar dhe pa energji. Nuk kemi kontakte me njerëzit sepse rrugët nuk janë hapur. Edhe dyqanet nuk kanë më ushqime”, shprehen banorët e zonës.

Për shkak të izolimit dhe rrugëve të bllokuara as fëmijët nuk kanë shkuar më në shkollë prej dy muajsh. Në kohë të mirë atyre u duhet të udhëtojnë deri në 3 orë në këmbë për të shkuar në qendër të komunës.

“Kemi rreth një muaj që nuk shkojmë në shkollë sepse është larg dhe rrugët janë të bllokuara”, thonë fëmijët.

Janë 26 familje të këtij fshati të cilat si rezultat i këtij dimri të ashpër po përballen me luftën për mbijetesë. Në shtëpitë e plasaritura nga pesha e madhe e borës mund të gjesh vetëm pak miell dhe të ndiesh në ajër vështirësinë e të jetuarit pa bukë, drita e ujë, larg mundësisë për të komunikuar dhe në frikën e sulmit nga egërsirat.

Top Channel