SHBA, Santorum, 8 pikë mbi Romney

20/02/2012 21:30

Ish-senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum ndodhet në krye me tetë pikë avantazh mbi ish-guvernatorin e Masaçusets, Mitt Romney.

Sipas një sondazhi të Gallup, i kryer në nivel kombëtar në Shtetet e Bashkuara, Santorum gëzon 36 për qind të preferencave kundrejt 28 për qind të Romney.

Të mërkurën është në program debati në Arizona i kandidatëve republikanë për Shtëpinë e Bardhë, i parafundit para së Martës së Madhe, më 6 mars, kur do të votohet në shumë shtete.

Në Arizona, ashtu si dhe në Miçigan, që konsiderohet “atdheu” i Romney, do të votohet për primaret më 28 shkurt.

Ish-kryetari i Dhomës, Newt Gingrich ndodhet sipas Gallup në vendin e tretë me 13 për qind të preferencave, ndërsa Ron Paul, kandidati anarkist, në të katërtin me 11 për qind.

Ndërkohë, një anketë tjetër tregon se Santorum do të fitonte në mënyrë bindëse në Teksas, një ndër shtetet më të populluara, nëse zgjedhjet primare do të mbaheshin sot.

Santorum, sipas një sondazhi të Universitetit të Teksasit, do të fitonte 45 për qind të votave, kundrejt 18 për qind të Gingrich, 16 për qind të Romney dhe 14 për qind të Paul.

Gara për Shtëpinë e Bardhë në Teksas ka marrë tashmë dhenë, por gjërat mund të ndryshojnë derisa të arrihet në zgjedhjet primare, që mund të mbahen më 29 maj. Teksasi fillimisht duhet të votonte më 6 mars, por proçesi më pas u shty.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA