Mbretëresha Elisabeth ka premtuar se do të përkushtohet në shërbim të Mbretërisë së Bashkuar dhe popullit të saj, teksa festonte Jubileun e Kurorës.
Në një fjalim para dy Dhomave të Parlamentit, ajo tha se përkujtimi i 60-vjetorit të saj në krye të fronit ishte një rast i mirë për t’u mbledhur të gjithë së bashku në shpirtin e fqinjësisë së mirë.
Qindra zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin David Cameron, zëvendësin e tij Nick Clegg, liderin e laburistëve Ed Miliband dhe arqipeshkvin e Kentërbërit, Rowan Williams, ishin mbledhur për fjalimin, që u përshëndet me një “standing ovation”.
Duke folur në sallën e Westminister, mbretëresha vlerësoi virtytet e popullit britanik, duke e vënë theksin te elasticiteti, zgjuarsia dhe toleranca, si dhe figurën e Dukës së Edinburgut, të cilin e cilësoi si “udhëheqësin dhe forcën e saj në dekada”.
“Gjatë këtyre viteve si mbretëresha juaj, mbështetja e familjes time, nga brezi në brez, ka shkuar tej mase. Princi Philip është i mirënjohur për refuzimin e çdo lloj komplimenti, por ai ka qenë fuqia ime e vazhdueshme”, u shpreh mbretëresha.
“Ne jemi mbledhur këtu për të kujtuar të kaluarën tonë, për vijimin e historisë së kombit tonë dhe për virtytet e elasticitetit, zgjuarsisë dhe tolerancës që e krijuan atë”, shtoi monarkja.
Top Channel