Irani kërcënon se do të ndërpresë shitjen e naftës për vendet e tjera, nëse Evropa do të vazhdojë me aksionet e saj “armiqësore” ndaj Teheranit.
Paralajmërimi është bërë të hënën nga presidenti i kompanisë së naftës “Nioc”, Ahmad Ghalebani.
Irani ka vendosur tashmë të ndërpresë shitjen e naftës për kompanitë franceze dhe britanike, ka njoftuar zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Naftës, Alireza Nikzad.
“Shitja e naftës për kompanitë britanike dhe ato franceze është ndërprerë. Pas vendimit zyrtar të njoftuar nga Ministria e Jashmte, Ministria e Naftës ka pezulluar operacionet”, ka deklaruar zëdhënësi.
I njëjti burim, i cituar nga agjencitë iraniane të lajmeve, ka shtuar se qeveria e Teheranit ka ndërmend t’ia shesë arin e zi klientëve të tjerë.
Vendi i dytë i OPEC, Irani prodhon 3.5 milionë fuçi nafte në ditë dhe eksporton 2.5 milionë prej tyre. Rreth 20 për qind e lëndës së parë u shitet vendeve të BE, rreth 600 mijë fuçi nafte në ditë, në veçanti Italisë, Spanjës dhe Greqisë, ndërsa 70 për qind shitet në Azi.
Të mërkurën e kaluar autoritetet e Teheranit njoftuan një reduktim të eksporteve të naftës për gjashtë vende të Bashkimit Evropian, pas sanksioneve të Unionit për shkak të çështjes bërthamore iraniane.
Top Channel