“Revolucioni jetim” në Siri

20/02/2012 00:00

Këshilltari kryesor i presidentit amerikan Barack Obama, thotë se është ende herët për të ndihmuar në armatosjen e opozitës siriane, që prej një viti po proteston kundër presidentit Basha al-Assad.

Ai ka konfirmuar fjalët e protestuesve se revoltat në Siri janë “një revolucion jetim, që nuk po merr mbështetjen e nevojshme nga ndërkombëtarët, e njëjtë me atë që iu dha vendeve të tjera të përfshira në atë që u quajt pranvera arabe”.

Sipas tyre forcat opozitare nuk kanë as armë dhe as pajime të nevojshme, duke e bërë shumë të vështirë luftën kundër regjimit diktatorial.

Ndërkohë në vend vazhdon dhuna e autoriteteve kundër protestuesve. Opozita njoftoi se vetëm ditën e dielë u vranë mbi 30 persona nga sulmet  e ushtrisë së presidentit Assad, kryesisht në qytetin e Homsit.

Diplomacia ndërkombëtare është përfshirë në një ngërç të vendosur nga Kina e Rusia, dy vendet që dolën kundër rezolutës së hedhur për votimin në Këshillin e Sigurimit para pak javësh. Perëndimi dhe Liga Arabe, që ka ashpërsuar qendrimin ndaj Damaskut, po tentojnë një tjetër rrugë diplomatike, atë të kalimit të një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kjo rezolutë u paraqit para Asamblesë të hënën e kaluar dhe pritet të hidhet në votim ditët në vazhdim. Rezoluta me shumë gjasa do të kalojë pasi i mjafton shumica e thjeshtë dhe mungon e drejta e vetos, por dokumenti nuk do të ketë forcën sanksionuese ligjore të vendosur nga e drejta ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA