Republikanët në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë fushatën brenda llojit për nxjerrjen e emrit që do të sfidojë presidentin aktual dhe kandidatin demokrat, Barack Obama në garën për numrin një të Shtëpisë së Bardhë.
Vëmendja e konservatorëve është zhvendosur në shtetin e Arizonas ku do të mbahen zgjedhjet republikane së afërmi. Në këtë shtet shihet si favorit kryesor për të fituar Mitt Romney, por kandidatura e këtij të fundit është tronditur nga një skandal.
Kreu i stafit elektoral të Romney-t në Arizona ka dhënë dorëheqjen nga posti duke deklaruar se ishte homoseksual. Paul Babeau, përgjegjës fushatës së Romney-t në kontenë e Pimës dhe i njohur për qendrimet e ashpra kundër emigrantëve u dorëhoq duke deklaruar se ishte homoseksual, por më “tronditësja” ishte deklarata e tij kur do të pohonte ekzistencën e një marrëdhënie mes tij dhe një emigranti klandestin meksikan me emrin Jose.
“Dobësitë” e Romney-t kanë ndihmuar në fuqizimin e kandidaturës së Rick Santorum, kandidati me bindje të theksuara konservatore aq sa synon ndalimin me ligj të abortit në gjithë territorin e SHBA-së. Sipas sondazheve të fundit, Santorum është ngjitur në nivelet e Mitt Romney-t dhe Newt Gingrich dhe shihet tashmë si rival potencial për t’u përballur me Obama-n.
Megjithatë, të njëjtat sondazhe pohojnë se asnjë prej tre kandidaturave republikane nuk do të mund të mposhtë dot Obama-n në zgjedhjet finale…të paktën për momentin.
Top Channel