Programi bërthamor i Iranit

19/02/2012 12:15

Një diplomat perëndimor thotë se Irani do të vendosë mijëra centrifuga të “gjeneratës së re” në centralin e fortifikuar të Komit (Qomit).

Kështu mund të përshpejtohet pasurimi i uraniumit, përmes të cilit prodhohet si energjia ashtu edhe bomba atomike. Ky është një tjetër paralajmërim se Irani po hedh disa hapa përpara me programin bërthamor, pavarësisht shtimit të presioneve dhe sanksioneve ndërkombëtare.

Diplomatë të tjerë që kanë kërkuar anonimatin shpjeguan se centrali i Komit tani ka një sistem elektrik me të gjitha pajisjet e nevojshme për centrifugat, të cilat sipas tyre nuk janë vendosur. Nuk dihet ende si do të përshtaten ato në sistem dhe se kur do të ndodhë kjo.

Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) nuk ka bërë asnjë koment pas publikimit të kësaj deklarate. Inspektorët e saj pritet të vizitojnë Teheranin këtë javë, pasi iu ndalua hyrja në disa prej centraleve gjatë vizitës së muajit të kaluar.

Sa vjen e shtohen spekullimet në media se Izraeli po planifikon një sulm ushtarak kundër centraleve bërthamore të Iranit. Të shtunën, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, gjenerali Beni Gatz, tha se vendi do ta marrë vetë vendimin për të goditur Iranin.

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Tom Donilon, mbërriti në Izrael për të biseduar për disa çështje, përfshirë edhe Iranin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA