Perandori i Japonisë, Akihito, i është nënshtruar me sukses një bypass-i në zemër në spitalin e Tokios, raportojnë mediat japoneze.
Operacioni nisi rreth orës 09:30 me orën lokale (00:30 me orën tonë) dhe përfundoi pothuajse gjashtë orë më vonë. Perandori do të qëndrojë në spital edhe për dy javë.
Mjekët vendosën të kryenin operacionin pas disa analizave të kryera më herët gjatë muajit, duke deklaruar se ai do të përmirësonte jetën e përditshme të madhërisë së tij.
Perandori Akihito i është nënshtruar gjithashtu një operacioni për kancerin në prostat në vitin 2003 dhe ka kaluar stres të shkaktuar nga gjendja e tij shëndetësore në 2008-ën.
Ndërsa një vit më vonë, agjencia që menaxhon aktivitetet e familjes perandorake deklaroi se 78-vjeçari do të reduktonte angazhimet zyrtare si fjalimet, apo takimet me zyrtarë të huaj.
Perandori luan kryesisht një rol simbolik në Japoni, por respektohet jashtëzakonisht nga populli japonez. Ai trashëgoi fronin në vitin 1989, pas vdekjes së të atit, perandorit Hirohito.
Vitin e kaluar, princi Akishino, që është i dyti në vijën për fronin, bëri thirrje për një debat mbi moshën e pensionit për kryetarin e shtetit, i cili kaloi tre javë të tjera në spital në nëntor të vitit 2011.
Top Channel