Kriza, francezët: Vendi ynë si Greqia

18/02/2012 15:00

Të paktën një francez në dy, ose 49 për qind sipas një sondazhi të institutit IFOP, mendon se Franca në muajt ose në vitet e ardhshme do të përjetojë një situatë të ngjashme me atë të Greqisë.

Sondazhi, i publikuar në edicionin e fundit të së përditshmes “Sud-Ouest”, tregon se shumica e francezëve mendojnë se vendi i tyre do të falimentojë, njësoj si vendi helen.

Sipas anketës, 17 për qind e të intervistuarve e konsiderojnë “të kryer” faktin se vendi do të përfundojë si Greqia, ndërsa 32 për qind e konsideron si “të mundshëm”.

Më optimistët janë ata nga radhët e simpatizantëve të partisë në pushtet, UMP, 70 për qind e të cilëve e përjashtojnë në mënyrë kategorike skenarin grek.

Franca ndodhet në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe fushata mes kandidatëve rivalë ka nisur, e ashpër edhe pse ndodhet ende në fillesat e saj.

Presidenti aktual, Nicolas Sarkozy shpalli të hapur fushatën për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në krye të pallatit Elize tre ditë më parë.

Në një intervistë për televizionin TF1, ai veçoi rritjen ekonomike të Francës në semestrin e fundit të vitit të shkuar, e cila sipas tij ka qenë më e lartë se e vendeve të tjera të Eurozonës.

Nga ana tjetër, socialistët francezë nuk vonuan të shpotisin rikandidimin e Nicolas Sarkozy, duke thënë se presidenti-kandidat, tani është kthyer në kandidat-president.

Kjo deklaratë shënoi dhe hapjen e luftës mes Sarkozy dhe socialistëve, të cilët në këtë proçes garojnë me kandidatin François Hollande.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA