Irani, anije luftarake në Mesdhe

18/02/2012 08:50

Anije luftarake iraniane kanë hyrë në detin Mesdhe, për herë të dytë që nga revolucioni i vitit 1979, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Shkatërruesja “Shahid Qandi” dhe anija e saj mbështetëse “Kharg” kanë kaluar përmes Kanalit të Suezit, por destinacioni i tyre mbetet i paqartë.

Komandanti i marinës iraniane, admirali Habibollah Sayari deklaroi për agjencinë e lajmeve “Irna” se misioni bëhej për të dërguar një mesazh force dhe paqeje.

Sipas admiralit, strategjia e marinës së Republikës Islamike ka zgjedhur Kanalin e Suezit për herë të dytë që nga mbajtja e revolucionit.

“Ky mision përcjell forcën e Iranit ndaj vendeve të rajonit si dhe mesazhin e paqes e mirësisë të Teheranit”, ka thënë admirali Sayari.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Reuters” citon autoritetet në Kanalin e Suezit që thonë se anijet mund të jenë drejtuar për në Siri.

Misioni vjen në një moment tensionesh të larta mes Iranit dhe Izraelit. Irani ka njoftuar së fundmi një sërë zhvillimesh në programin e tij bërthamor, duke nxitur spekulime se Izraeli mund të kryejë një sulm ndaj impianteve bërthamore iraniane.

Gjithashtu, Izraeli ka fajësuar qeverinë iraniane për atentatet ndaj diplomatëve të tij nëpër botë, akuzë që është hedhur poshtë nga administrata e Teheranit.

Britania, frikë për luftë të ftohtë

Ndërkohë, sekretari britanik i Jashtëm ka paralajmëruar se ambicjet bërthamore të Iranit mund ta fusin Lindjen e Mesme në një
luftë të ftohtë të re.

Në një intervistë për “Daily Telegraph”, William Hague ka deklaruar se nëse Irani zhvillon armët bërthamore, atëherë vendet e tjera në Lindjen e Mesme do të duan të bëjnë të njëjtën gjë.

“Pa mekanizmat e sigurisë të rivalitetit SHBA-Bashkimi Sovietik, do të ketë një katastrofë në çështjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Hague.

Perëndimi dyshon se Irani do të prodhojë armë bërthamore me programin e tij, por Teherani insiston se programi në fjalë ka qëllime paqësore, vetëm për energjinë.

Në intervistën e tij për “Telegraph”, shefi i diplomacisë britanike ka thënë gjithashtu se, një krizë po troket në dyert e vendeve të Perëndimit.

“Iranianët po e vazhdojnë programin e tyre bërthamor. Nëse ata pajisen me armë bërthamore, atëherë mendoj se të gjitha vendet në Lindjen e Mesme do të duan të bëjnë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Hague.

“Dhe nëse kjo ndodh do të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme dhe kërcënimi për një luftë të ftohtë në këtë rajon pa mekanizmat e duhur do të ishte një katastrofë ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Ditën e premte, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u shprehën optimiste për mundësinë e rifillimit të bisedimeve me Iranin për programin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA