Assad: Sirinë duan ta copëtojnë

18/02/2012 00:00

Presidenti sirian Bashar al-Assad priti në Damask zyrtarin e lartë të Ministrisë së Jashtme kineze, Zhai Jun.

Pas takimit, presidenti Assad bëri një dalje në televizionin shtetëror ku akuzoi perëndimin dhe në vecanti Shtetet e Bashkuara se po kërkojnë të ndajnë Sirinë.

“Siria po përballet me sukses me një tentativë të pashoqe për ta ndarë, ndarje që synon dobësimin e pozicionin gjeo-politik të vendit dhe roli historik të Sirisë në rajon”, deklaroi Assad.

Kina: Të ndalen aktet e dhunës

Zv/ministri i Jashtëm i Kinës që po viziton Damaskun u ka bërë thirrje të
gjitha palëve në vend që t’i japin fund akteve të dhunës.

Televizioni publik sirian citon Zhai Jun që ka thënë se mbështet planin e
qeverisë siriane për një referendum për Kushtetutën dhe pasimin e tij
me zgjedhje.

“Qëndrimi i Kinës është t’i bëjë thirrje qeverisë, opozitës dhe rebelëve
që të ndalin menjëherë aktet e dhunës. Ne shpresojmë që referendumi për
një kushtetutë të re si dhe zgjedhjet që të vijnë pas tij të sjellin
qetësi”, ka deklaruar Zhai Jun.

Nga ana e saj opozita siriane thotë se nuk mund të pranojë mbajtjen e një referendumi në një kohë kur dhuna qeveritare vazhdon.

Përfaqësuesit e saj deklarojnë se edhe të shtunën trupat qeveritare
përsëritën bombardimet ndaj vendndodhjeve të forcave të opozitës në
qytetin e Homsit.  

Siri, mijëra protestues gati për rezistencë 

Mijëra sirianë kanë sfiduar shtypjen e pamëshirshme dhe të përgjakshme
të qeverisë së tyre, duke organzuar qindra protestave publike të premten
në qytetet në mbarë vendin.

Një video e postuar nga aktivistët në YouTube tregon protestuesit që mblidhën në qytetin e  Daras nën një banderolë që shkruan: “Derdhe gjakun, të lirohemi nga frikacakët”.

Komitetet e koordinimit lokal të opozitës, numërojnë 613 demonstrata, nga të cilat 158 prej tyre vetëm në Idlib. Qëllimi i rezistencës popullore është thirrja për një luftë të armatosur.

Konflikti që zgjat prej muajsh në Siri, u ndez e premten mes protestave masive. Së paku 61 njerëz humbën jetën, sipas grupeve të vëzhgimit të opozitës.

Ndërkohë që Agjencia shtetërore e lajmeve raporti se 6 ushtarakë të forcave qeveritare, mbetën të vrarë pasi u qëlluan nga terroristët e armatosur. 

SHBA, avionë të telekomanduar mbi Siri

Një numër i mirë avionësh amerikanë të telekomanduar kanë fluturuar mbi Siri, duke monitoruar sulmet e regjimit ndaj forcave të opozitës dhe civilëve të pafajshëm.

Lajmin e bën të ditur NBC, që citon burime anonime nga qeveria amerikane, të cilat saktësojnë se prania e dronëve nuk nënkupton përgatitjen për një aksion ushtarak.

“Fushata e dronëve synon më tepër të mbledhë prova për të sjellë një përgjigje më të fortë ndërkombëtare”, kanë deklaruar burimet.

Ato kanë shtuar më tej se administrata e Uashingtonit po mendon për dërgimin e misioneve humanitare, por situata e rëndë në vend e bën hipotezën shumë të rrezikshme. 

Siri, mbi 8 mijë të vrarë

Mbi 8 mijë të vrarë, ky është bilanci i një viti protestash në Siri.  Shifrat tragjika u publikuan nga Komiteti i Koordinimit Lokal, organ i ngritur nga forcat anti-qeveritare në Siri.

Komitetit publikoi një listë me emrat e personave të vërtetuar si të vrarë nga plumbat dhe predhat e ushtrisë së presidentit Assad. Pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në qytetin e Homsit, kryeqendra e protestave e cila prej më shumë se 2 javësh ndodhet në rrebeshin e predhave ushtarake.

Saktësisht 8311 është numri i të vrarëve, nga të cilët 6529 civilë, 1765 ushtarakë mes të cilëve dezertorë dhe anëtarë të ushtrisë qeveritare, 559 janë viktimat mes adoleshentëve dhe fëmijëve dhe 257 janë gra.

Të dhënat janë alarmante, megjithatë organizata të tjera shprehen të rezervuara duke deklaruar se duhen ende verifikime, por pa mohuar faktin se numri i viktimave është i lartë.

Top Channel