Një letër e dërguar nga Irani Përfaqësueses së Lartë për politikën e jashtme të BE, Catherine Ashton lë përshtypjen se duhet të rifillojnë bisedimet për çështjen bërthamore.
Deklarata është bërë nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton në një konferencë për shtyp me homologen evropiane, Catherine Ashton.
“Fuqitë e mëdha duhet të sigurohen mbi faktin se Irani do të jetë i gatshëm të dialogojë derisa të pranojë detyrimet e vendosura nga komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Clinton.
Një ditë më parë, mediat ndërkombëtare njoftuan se Irani është i gatshëm të rinisë bisedimet me Perëndimin përsa i përket programit të tij bërthamor.
Kështu shkruante CNN, që saktësonte se ishte vënë në zotërim të kopjes së letrës që presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad i kishte nisur Bashkimit Europian.
Ai shprehte gatishmërinë e Teheranit për të rinisur bisedimet me vendet e Europës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara për programin e shumëdiskutuar.
Kthesa e beftë e Ahmadinejad mbërriti pak ditë pas njoftimit se Irani prodhoi të ashququajturat “centrifuga të gjeneratës së katërt”, të afta të pasurojnë më shpejt uraniumin.
Teherani thekson se programi i tij bërthamor ka synime paqësore, por Shtetet e Bashkuara dhe Aleatët këmbëngulin se Irani po synon prodhimin e një bombe bërthamore.
Top Channel