Shpenzohen 6 miliardë lekë pa tender

14/02/2012 08:40

Në kulmin e krizës financiare dhe pavarësisht masave të forta të shkurtimeve në buxhet, institucionet shtetërore kanë mundur të shpenzojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë pa zbatuar kriteret e garës në tender.

Raporti i publikuar së fundmi nga Agjencia e Prokurimit Publik, i cituar nga gazeta “Shqip”, evidenton 1713 raste kur ente të ndryshme kanë kryer prokurime me negocim pa shpallje, e thënë ndryshe tender i drejtpërdrejtë, me vlerë afro 6 miliardë lekë.

Kjo procedurë nuk është një garë e mirëfilltë mes firmave private për të ofruar çmimin më të ulët në tender, por është forma që ndjek institucioni në përzgjedhjen e subjektit në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke bazuar në disa tregues sipërfaqësor dhe ku hapësira për të abuzuar është tepër e madhe.

Nëse me ligj thuhet se prokurimi i një malli, shërbimi apo pune publike kryhet me anë të garës, ku firmat dorëzojnë zarfet e mbyllura dhe në ditën e caktuar hapen ofertat para komisionit, me procedurën e negocimit ndodh e kundërta.

Në këto kushte, askush nuk ka mundësi të manovrojë, pasi çdo veprim kryhet në transparencë të plotë, ndërsa tenderi i drejtpërdrejtë (negocim pa shpallje) është metodë që pakkush ka mundësi të zbulojë abuzimin.

Në ligj thuhet se tenderi i drejtpërdrejtë kryhet vetëm në rastet e emergjencës, pra kur institucioni nuk ka shumë kohë në dispozicion dhe zgjedh rrugën e blerjes në treg të hapur, aty ku mendon se e gjen më lirë. Në vitin 2010, vlera e prokuruar në këtë formë ishte 5 miliardë lekë, ndërsa vitin e kaluar ishte 10 miliardë më shumë.

Sipas raportit, në total u prokuruan rreth 64 miliardë lekë, ndërsa ofertat e firmave private në tender ishin rreth 51 miliardë lekë, pra me një kursim afro 13 miliardë lekë, ose 20 për qind e fondit limit.

Sipas autoritetit monitorues, këto kursime kanë ardhur për shkak të konkurrencës së fortë mes firmave për të qenë fitues.

Nga të dhënat e raportit, rezulton se numri total i procedurave të zhvilluara në sistemin elektronik janë 3340, ndërkohë që numri i procedurave të fituara është 4217.

Diferenca midis numrit të procedurave të fituara me ato të zhvilluara në sistem, shpjegohet nga APP me faktin se disa nga këto procedura janë me lote (të ndara në disa nënprocedura) dhe kur shpallet procedura (publikohet njoftimi i kontratës), shpallet si një procedurë e vetme, pavarësisht numrit të loteve që mund të ketë, ndërkohë që kur shpallet fituesi, shpallet për çdo lot më vete. Kjo është arsyeja që njoftimet e fituesit janë më shumë në numër se sa njoftimet e kontratave.

Gjatë muajit gusht e në vijim, Drejtoria e Çështjeve Juridike dhe e Monitorimit ka trajtuar një numër të konsiderueshëm kërkesash për sqarim dhe mendim nga autoritetet kontraktore, të cilat kanë konsistuar kryesisht në mënyrën se si duhet të procedohej për procedurat e prokurimit me fonde buxhetore të nisura në këtë muaj, në kushtet kur u miratua VKM-ja nr.472, datë 2.07.2011 “Për disiplinimin e përdorimit të Fondeve Buxhetore për vitin 2011”.

Pas muajit tetor, kërkesat për sqarim kanë konsistuar edhe në mënyrën se si duhet të procedohej për procedurat e prokurimit me fonde buxhetore, të nisura në këtë muaj, në kushtet kur Rregullat e Prokurimit Publik përcaktojnë si afat përfundimtar (përfshirë edhe lidhjen e kontratave) datën 31 tetor.

Konkretisht, numri total i praktikave të paraqitura në këtë drejtori për mendim, sqarim apo informacione nga institucione të ndryshme, gjatë vitit 2011 ka qenë 141.

Gjobat ndaj zyrtarëve

Në përfundim të hetimeve administrative, raporteve të dërguara nga KLSH, institucionet audituese në vend, apo Avokati i Prokurimeve nga APP janë vendosur gjoba në 40 raste, me vlerë nga 50 mijë në 100 mijë lekë, ndaj titullarëve të autoriteteve kontraktore etj.  

Përjashtohen 13 biznese

Gjatë vitit 2011 u morën në shqyrtim 32 propozime nga institucionet për përjashtimin e operatorëve ekonomikë, nga të cilat në përfundim të procedimit administrativ, 13 operatorë ekonomikë janë përjashtuar nga e drejta për të marrë pjesë në prokurime

Teknologjia, Pollo: Të prirur për inovacion

Nisur nga mosha relativisht e re e popullsisë shqiptare, ministri i Teknologjisë, Genc Pollo gjykon se vendi ka prirje për inovacione. I gjendur në panairin e parë ndërkombëtar të teknologjive për biznesin, “BizTech Tirana 2012”, ministri tha se, “jemi një vend me popullsi në moshë të re, të prirur nga inovacioni dhe ku politikat qeveritare, si përmes legjislacionit, ashtu edhe përmes dixhitalizimit të shërbimeve qeveritare online kanë dhënë kontributin e tyre”.

Sipas tij, specialistët shqiptarë të IT të kualifikuar po rriten çdo vit, ku në 2011-n u pranuan mbi 4000 studentë në degë universitare të TIK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA