Studentët në ndihmë të të bllokuarve

13/02/2012 19:10

Ndërsa Shqipëria po përballet me dimrin më të keq në shumë vjet, nuk është vetëm qeveria dhe strukturat e duhura që po i vijnë në ndihmë qytetarëve në vështirësi, por edhe individët përkatës.

Ndërsa bilanci tragjik në Shqipëri ka shkuar në tetë persona, studentët e Universitetit Juridik të Tiranës kanë nisur një nismë për të dhënë kontributin e tyre në lehtësimin e situatës, duke kontribuar vullnetarisht me ushqime.

Në një lidhje direkte në emisionin e “Pasdites” nga Qyteti i Nxënësve, Katerina Trungu, një prej studenteve nismëtare të kësaj iniciative, rrëfeu: “Duke parë situatën që vështirësohet çdo ditë, nuk mund të qëndroja indiferente, kështu që në dy ditë u bëmë një grup i madh studentësh, që siguruam me mundësitë tona, disa ushqime elementare”.

Fatkeqësisht, ndërgjegjësimi nuk ishte i plotë. “Disa nuk kishin mundësi të kontribonin dhe disa nuk e morën parasysh iniciativën tonë, por nëpërmjet kësaj ndihme duhet të japim një mesazh të rëndësishëm, se në fund të fundit në çaste vështirësish kemi vetëm njëri-tjetrin”, shtoi Katerina.

Duke treguar më me detaje procesin e grumbullimit të ndihmave, studentja shpjegoi: “Ata që kontribuan, bënë me të vërtetë shumë. Shkuan në një supermarket dhe u kthyen me çanta e qese plot. Kemi krijuar pako të ndryshme, duke diferencuar ushqimet që çdo familje të marrë disa ushqime njëkohësisht. Kështu, kemi vendosur, sheqer, makarona, oriz dhe ushqime të tjera të konsumit të përditshëm”.

Në kushtet e vështira të motit, me shumë rrugë të bllokuara, studentët do të arrijnë të transportojnë ushqimet e tyre nëpërmjet Kryqit të Kuq.

Top Channel