Siria, mblidhet Asambleja e OKB-së

13/02/2012 17:55

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u mblodh për të diskutuar mbi situatën e rëndë humanitare të krijuar në Siri, si pasojë e dhunës së autoriteteve të presidentit Basha al-Assad kundër protestuesve.

Në fjalën e hapjes, Komisionerja e OKB për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay deklaroi se ishte e shokuar nga përshkallëzimi i dhunës së autoriteteve ndaj civilëve në Siri, vecanërisht në qytetin e Homsit, qytet ky që prej 10 ditësh ndodhet nën bombardimin e artilerisë ushtarake të Damaskut zyrtar.

Pillay tha se veto ruso-kineze në Këshillin e Sigurimit inkurajoi dhunën e Bashar al-Assad ndaj popullit të tij.

Ndërkohë, Liga Arabe njoftoi ndërprerjen totale të lidhjeve diplomatike me Bashar al-Assad duke premtuar ndihmë politike dhe materiale për opozitën siriane.

Liga Arabe synon kalimin e një projekt/rezolutë në Asamble, e njëjtë me atë që mori veton në KS nga Rusia dhe Kina, por me një klauzolë shtesë, ajo që bën fjalë për dërgimin e një të dërguari të posacëm të OKB-së në terren.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë mund të kalojë edhe me shumicë të thjeshtë votash, pasi nuk ka të drejtë vetoje, por rezolutat e këtij insitucioni nuk kanë detyrim ligjor në të drejtën ndërkombëtare, sikundër ato që dalin nga Këshilli i Sigurimit.

Top Channel