Obama “tradhton” kriminelin

11/02/2012 15:40

Një kriminel i shpallur në kërkim nga policia italiane ka rënë në prangat e agjentëve të Interpolit për shkak të një fotografie me presidentin amerikan Barack Obama.

Krimineli, i identifikuar me emrin Michele Grasso, nuk kishte dalë në foto me vetë presidentin e Shteteve të Bashkuara, por me statujën e tij prej dylli në muzeun e Londrës, ku ishte strehuar për t’i shpëtuar drejtësisë.

Më pas, 27-vjeçari e kishte publikuar foton në fjalë në faqen e tij në rrjetin social Facebook, duke bërë kështu “vetëvrasjen” e tij.

Kjo, pasi policia e Mesinës, e cila po e kërkonte për shpërndarje droge, po e kontrollonte vazhdimisht rrjetin social në kërkim të të riut dhe kur vuri re foton me presidentin Obama, e kuptoi se bëhej fjalë për statujën e tij prej dylli në Londër.

Më pas, duke mbikëqyrur edhe fotot e tjera të publikuara, agjentët zbuluan lokalin ku punonte 27-vjeçari në Londër, duke njoftuar Interpolin dhe kolegët britanikë, të cilët i vunë prangat.

Nuk ka vonuar ekstradimi i të riut në Itali, ku nga gjykata është dënuar në mungesë me 5 vjet burg dhe 24 mijë euro gjobë për shpërndarje narkotikësh.

Top Channel