Rusi, burgoset spiuni i CIA-s

10/02/2012 13:50

Një inxhinjer rus u dënua me 13 vjet heqje lirie nga një gjykatë në Moskë, pasi u gjet fajtor për shitjen e informacioneve të klasifikuara mbi raketat ruse tek CIA.

Koloneli Vladimir Nesterets, një drejtues i lartë i stacionit hapësinor të Plesetskut, u shpall fajtor për tradhëti të lartë, pas detajeve të ofruara nga Shërbimet Sekrete Ruse (FSB).

Përpara gjykatës, ai kërkoi një gjykim të shkurtuar, duke pranuar akuzat e zbulimit të sekreteve kyçe për raketat me një rëndësi të madhe strategjike.

Programi raketor i Rusisë është dëmtuar kohët e fundit nga një seri dështimesh, për të cilat është përfolur si përgjegjës edhe një bojkot i CIA-s, ndonëse provat për këtë mungojnë.

Plesetsku, një bazë në Rusinë veri-perëndimore, fare pranë Rrethit Artik, përdoret nga ushtria për të lëshuar satelitë dhe raketa të tjera në orbitë.

FSB nuk dha detaje të mëtejshme rreth çështjes që ka ngjallur shumë debate në vendin me 145 milion banorë.

Top Channel