U mbushën 60 vjet që nga hapja e dyerve të Kinostudios “Shqipëria e Re”, i pari institucion shqiptar i prodhimit të filmit.

Në këtë përvjetor, kur ambientet e Kinostudios tashmë të mbyllur i ka mbuluar pluhuri, është dita për të kujtuar punën e sa e sa artistëve, regjisorëve dhe kineastëve, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në pasurimin e artit shqiptar. Por, me gjithë rëndësinë e veçantë të këtij tempulli të kulturës, ku është krijuar historia e kinematografisë shqiptare, asnjë aktivitet nuk u organizua për të vlerësuar punën dhjetravjeçare të Kinostudios.

Regjisori dhe skulptori Muharrem Fejzo, i cili ka qenë një ndër të parët punonjës të Kinostudios, duke filluar punën përpara hapjes me vendosjen e skulpturave, më pas duke u bërë një nga grimiorët e parë të saj dhe më vonë me realizimin e 14 filmave në rolin e regjisorit, ka shprehur pakënaqësine e tij në lidhje me këtë harresë të atyre që themeluan kinematografinë shqiptare.

Filmi i parë ishte një kinoditar i regjisorit Endri Keko. Ai u shfaq në ditën e inaugurimit të godinës së re dhe ishte i pari prodhim i realizuar tërësisht nga kineastë shqiptarë si Xhanfize Cipi, më pas Keko, Petraq Lubonja, Koço Tollko etj. të cilët pasi u specializuan në ish-Bashkimin Sovjetik filluan punë në Kinostudion e cila pritej të hapej.

Kinostudio prodhoi me dhjetëra filma të të gjitha zhanreve çdo vit, rreth 200 në total, deri në mbylljen e institucionit në vitin 1996, pas ndërrimit të emrit në “Albafilm”.

Top Channel