Acari në Evropë, viktimat pranë kuotës 450

08/02/2012 18:00

Në Evropë emergjenca e motit të keq me dëborë dhe me akuj vazhdon, me
numrin e viktimave që tashmë po i afrohet kuotës 450 të vdekur.

Zona lindore dhe Ballkani mbeten rajonet më të prekura përsa i
përket numrit të viktimave dhe numrit të lokaliteteve të izoluara për
shkak të bllokimit të rrugëve.

Ukraina dhe Polonia mbeten vendet me numrin më të lartë të viktimave,
respektivisht me 136 dhe 68 të vdekur, të ndjekura nga Rumania me 38,
Italia me 26, Republika Çeke me 24, Lituania me 23, Bullgaria me 16,
Hungaria me 13, Serbia me 12, dhe Lituania e Bosnja me nga 10.

Ndërsa për Rusinë, të dhënat e fundit të publikuara nga agjencitë
lokale të lajmeve flasin për rreth 70 viktima të shkaktuara nga i
ftohti në muajin janar.

Ndërkohë,
gjigandi rus i gazit, “Gazprom”, pranoi se kishte pakësuar furnizimin
për konsumatoret europianë në fundjavë, por e kompensoi mungesën duke
iu kthyer vëllimeve të nënshkruar në kontrata.

Algjeri, 80 të vdekur nga moti i ftohtë

Në Algjeri vazhdon të rëndohet bilanci i viktimave të motit të acartë dhe me dëborë, që ka shkuar në 80 të vdekur.
Sipas mediave ndërkombëtare, në disa rajone të vendit arab ka pasur përplasje mes banorëve dhe autoriteteve lokale, pasi këto të fundit akuzohen se nuk kanë marrë masat e duhura.

Nga 80 viktimat e konfirmuara, 30 prej tyre kanë humbur jetën në incidente rrugore të shkaktuara nga akujt dhe ngricat që kanë mbuluar rrugët.

Ndërsa shkaqe të tjera të vdekjeve kanë qenë rrjedhja e monoksidit të karbonit, e shkaktuar nga impiantet defektoze, ose nga fakti që, në mungesë të gazit të butanit për ngrohjen, shumë familje kanë përdorur oxhaqet, duke mbyllur cdo dritare dhe portë dhe duke i kthyer shtëpitë në kurthe vdekjeprurëse pa qarkullim ajri.

Ndërkohë, janë të shumta qendrat e izoluara dhe, edhe nëse mjetet e ushtrisë ose të vullnetarëve arrijnë të krijojnë një kalim në dëborë, nuk janë në gjendje të çojnë atje furnizime me ushqime e lëngë djegëse.

Në disa komuna popullësia, e dëshpëruar, ka është mbledhur për të protestuar në zyrat e bashkive. E përditshmja “El Watan”, e njohur për kritikat në adresë të qeverisë, duke përshkruar vuajtjet e popullsisë, flet për një “martirizim” të vërtetë.

Top Channel