Rusia kërcënon sërish me veto për Sirinë

03/02/2012 10:50

Rusia përsëriti kërcënimet e saj se do të vendosë veton kundër, nëse rezoluta për Sirinë do të paraqitet të premten për votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Me kërkesë të Ligës Arabe, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët perëndimorë kanë përpunuar një dokument që sënon të dënojë dhunën në vendin arab dhe të imponojë masa shtrënguese, me qëllim rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assad.

Rezoluta kërkon dorëheqjen e tij dhe formimin e një qeverie të pajtimit kombëtar, por Moska e shikon këtë si një ndërhyrje të paautorizuar në punët e brendshme të një shteti, ndërsa ka shprehur shqetësimin se rezoluta mund të përdoret si një pretekst për të realizuar një ndërhyrje, si ajo që ndodhi në Libi.

”Kemi një dokument që duhet t’i raportohet kryeqyteteve tona dhe nëse rezoluta do të paraqitet me nxitim në Këshillin e Sigurimit, do të jem i detyruar të vendos veton kundër. Çështja e Sirisë nuk ka nevojë për një zgjidhje të njëanshme”, u shpreh ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin.

Presioni ndërkombëtar mbi Moskën për të pranuar dokumentin ka qenë në rritje, ndërsa Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka vlerësuar se “Moska nuk mund të paraqesë më asnjë arsye objektive për të penguar rezolutën”.

Së bashku me Kinën, Rusia ka bllokuar disa nisma perëndimore, për të vendosur sanksione të ashpra ndaj Sirisë dhe Iranit.

Top Channel