Francë, Le Pen e rrethuar nga fëmijët

03/02/2012 21:25

Është rrethuar me fëmijë për të treguar një imazh më pozitiv Marine Le Pen, kandidatja e Frontit Kombëtar në zgjedhjet presidenciale franceze.

Le Pen mbështetet kështu tek të rinjtë për të thyer klishenë mbi partinë e saj të ekstremit të djathtë, bën të ditur agjencia e lajmeve “AFP”.

Në takimin elektoral në Bordo, të dielën më 22 janar, ajo ishte e rrethuar nga fëmijët dhe përshëndeti militantët që ishin mbledhur për ta mbështetur.

Mes krahëve ajo mbante një të sapolindur. E njëjta skenë edhe më 8 janar, gjatë një takimi në një lagje të varfër të Parisit dhe më 15 janar, në një tjetër takim, në kuadër të zgjedhjeve që do të mbahen në periudhën prill-maj.

Ndërkohë, për kandidatët e tjerë duket se gjërat nuk po ecin edhe aq mirë. Eva Joly, nga radhët e Partisë së Gjelbër, u kërcënua disa ditë më parë me një zarf me plumb.

68-vjecarja, e cila mbrohet nga dy truproja, në profesionin e mëparshëm ka qenë një gjykatëse. Kandidatura e saj ka ngjallur debate të shumta për shkak të prejardhjes norvegjeze.

Ndërsa kandidati socialist, Francois Hollande e nisi si mos më keq fushatën e tij elektorale në Paris. Në një takim me mbështetësit e tij, një ndër të pranishmit i shpëtoi sigurimit dhe i hodhi atij miell në fytyrë.

Ndërsa presidenti Nicolas Sarkozy, i cili garon për një mandat të dytë, njoftoi në fund të janarit planet për vendosjen e një takse mbi transaksionet financiare.

Taksa prej 0.1 % do të vihet në muajin gusht, pavarësisht qëndrimit që do të mbajnë vendet e tjera europiane, nëse do ta ndjekin shembullin e Francës apo jo.

Top Channel