Egjipt, dy viktima në protestat pas tragjedisë

03/02/2012 04:45

Dy persona janë vrarë dhe më shumë se 400 të tjerë kanë mbetur të plagosur në protestat anembanë Egjiptit, që shpërthyen pas vdekjes së 74 njerëzve, pas një ndeshje futbolli.

Dy të vrarët u qëlluan nga policia që po përpiqej të shpërndante turmën e zemëruar në qytetin e Suezit, siç bënë të ditur zyrtarët mjekësorë.

Në kryeqytetin Kajro, mijëra protestues vazhdojnë të mbeten në rrugë, pas një dite përleshjesh me policinë.

Mijëra të tjerë marshuan në Ministrinë e Brendshme, ku forcat e sigurisë qëlluan me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Më herët, kryeministri egjiptian njoftoi heqjen e disa zyrtarëve të lartë.

Varrimet e disa prej 74 viktimave u zhvilluan në Port Said, ku ndeshja e futbollit ishte zhvilluar të mërkurën.

Vdekjet erdhën pasi tifozët pushtuan fushën në ndeshjen mes ekipit më të madh të Kajros, Al-Ahly dhe ekipit të Port Said, Al-Masry.

Top Channel