Birmani, filmi mbi Suu Kyi në tregun e zi

03/02/2012 17:35

Kopie pirate të filmit të Luc Besson mbi lideren e opozitës së Birmanisë, Aung San Suu Kyi, kanë filluar të pushtojnë tregun e zi të Rangunit.

Pikërisht këtu, reformat politike që po ndërmerren u kanë dhënë mundësi tregtarëve ambulantë që të përfitojnë nga imazhi i fitueses së cmimit Nobël për Paqen.

“Cilësia e filmit nuk është e mirë, por njerëzit e blejnë. Në të kaluarën nuk mund të shisnim lirshëm materiale të tilla. Nëse do të na kërkojnë të ndërpresim shitjet, do ta bëjmë”, ka deklaruar një shitës.

Filmi i regjisorit francez, “The Lady”, u prodhua menjëherë sapo liderja e rezistencës paqësore u lirua nga burgimi i vendosur nga regjimi ushtarak.

Në të, heroina aziatike interpretohet nga aktorja kineze Michelle Yeoh, e mirënjohur për rolet e saj në filmat aksion.

Kohët e fundit, vetë Suu Kyi konfirmoi pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Birmanisë që do të mbahen më 1 prill.

Ndërsa në një intervistë për BBC, ajo shprehej e bindur se Birmania do të bëhej një shtet demokratik brenda kohës së saj.

Top Channel