Tregu i bixhozit, monitorim online

02/02/2012 08:30

Një projekt i zyrës së OKB për Zhvillimin, PUND/UNDP, po asiston qeverinë shqiptare në krijimin e një sistemi të ri për monitorimin dhe mbledhjen e taksave të industrisë së lojërave të fatit.

Sistemi i ri, sipas qeverisë, është vendosur të ndërtohet me koncesion dhe synon të monitorojë online tregun e bixhozit në vend.

Qeveria vendosi dje t’i japë një shtesë fondi prej 200 mijë dollarësh Ministrisë së Financave, për të përballuar kontributin e qeverisë shqiptare në asistencën teknike të ofruar nga PNUD-i për ngritjen e sistemit të monitorimit dhe fiskalizimit të lojërave të fatit në Shqipëri.

Fondi, sipas vendimit, do t’i kthehet qeverisë nga fituesi i koncesionit të sistemit online të monitorimit. Tregu i lojërave të fatit është zgjeruar së tepërmi gjatë viteve të fundit në Shqipëri, kryesisht si pasojë e kushteve të vështira ekonomike që po përjetohen.

Në shumë qytete, kafenetë shpesh po kthehen në pika bastesh sportive apo lotarish elektronike. Numri i subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në këtë treg vlerësohet në mbi 1 mijë.

Qeveria ka krijuar një sistem të komplikuar të taksimit të këtij biznesi, i cili deri më sot nuk ka qenë shumë efikas. Tregu i lojërave të fatit vlerësohet se qarkullon mbi 100 milionë dollarë në vit.

Top Channel