Merkel, në Kinë për krizën e euros

02/02/2012 10:05

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbërritur në Pekin për një vizitë dyditore, që pritet të fokusohet tek kriza e eurozonës, Irani dhe Siria.

E shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga përfaqësues të 20 bizneseve të fuqishme, Merkel do të takohet me presidentin Hu Jintaoi dhe kryeministrin Wen Jiabao.

Ditën e premte, kancelarja do të vizitojë provincën e Guangdongut bashkë me Jiabao dhe drejtues të industrive të ndryshme.

Kjo është vizita e pestë e saj në Kinë, vend që është një partner i rëndësishëm strategjik dhe ekonomik për Gjermaninë. Dy vendet kanë nevojë për njëri-tjetrin, deklaron korrespondenti i BBC në Berlin, Steve Evans.

Përdorimi i mallrave gjermane nga konsumatorët kinezë ka bërë që ekonomia e Gjermanisë të rritet shumë më shpejt krahasuar me vendet e tjera të Evropës.

Gjithashtu, importi i teknologjisë gjermane për makineritë e fabrikave kineze i ka mundësuar ekonomisë së Kinës të përmirësohet ndjeshëm.

Zonja Merkel do të mbajë një fjalim për krizën ekonomike në Bashkimin Evropian, një cështje kyce në axhendën e saj, në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale.

Gjithashtu, ajo pritet të kërkojë mbështetje nga Kina për një rezolutë kundër Sirisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe t’i bëjë thirrje Pekinit që të mos rrisë importin e naftës iraniane.

Gjithashtu, temë e bisedimeve do të jetë aksesi tek të ashtuquajturit “elementët e rrallë të tokës” të përdorur në manifakturë për prodhimin e përbërësve elektronikë.

Në këtë drejtim Kina përbën 97 për qind të furnizimit global dhe së fundmi është akuzuar se ka kufizuar tregtimin me qëllim rritjen e cmimeve të këtyre produkteve.

Top Channel