Japoni, 53 të vdekur nga dëbora

02/02/2012 00:00

Dëbora e jashtëzakonshme që po bie mbi Japoni ka shkaktuar deri tani të
paktën 53 të vdekur dhe qindra të plagosur, përvec dëmeve në sistemin
prodhues dhe në atë të transportit.

Agjencia Meteorologjike Japoneze ka paralajmëruar se rënia e dëborës do të vazhdojë të paktën deri të premten, në vecanti në zonat që shtrihen në Detin e Japonisë.

Sipas mediave lokale, problemet më të mëdha janë regjistruar në prefekturën e Aomorit, ku dëbora ka arritur në 4 metra trashësi, si dhe në Niigata e Jamagata, me 3 metra trashësi.

Japonia vazhdimisht preket nga reshjet e dëborës në stinën e dimrit, por ky sezon duket se është më i rëndë se të tjerët për shkak të dendësisë së reshjeve.

Ndër vendet e tjera aziatike që në dimër kanë probleme me motin është Kina, më konkretisht disa rajone të saj, ku infrastruktura është e dobët dhe ka varfëri.

Top Channel