Brukseli pret nga Serbia që të bëjë progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën në raundet e mëparshme të dialogut për cështje teknike.

Deklarata është bërë nga shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Vensan Dezher, i cili ka kërkuar arritjen e një zgjidhjeje edhe për cështjen e përfaqësimit të Kosovës.

“Kusht tjetër është që KFOR-it dhe EULEX-it t’i mundësohet lëvizja e lirë në veri”, ka shtuar i dërguari i Bashkimit Evropian.

Apelet për progres në bisedime kanë qenë të shumta dhe ky ishte një nga motivet e vizitës së negociatorit të BE, Robert Cooper në Serbi.

Cooper kërkoi nga Beogradi angazhim për zgjidhjen e cështjeve të sipërpërmendura, por hasi në rezistencën e qeverisë serbe që kërkon që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet në bazë të rezolutës 1244.

Një gjë e tillë kundërshtohet nga qeveria kosovare, kryeministri i të cilës Hashim Thaci ka deklaruar se Kosova do të përfaqësohet e barabartë me shtetet e tjera.

Edhe ambasadori gjerman në Beograd, Wolfram Mass u shpreh disa ditë më parë kundër idesë së qeverisë serbe, duke deklaruar se rezoluta 1244 është e tejkaluar.

Diplomati nënvizoi se Gjermania ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu edhe shumë vende të tjera të BE-së dhe të gjithë botës.

Top Channel