Rusi, banderola gjigante, “Putin ik”

01/02/2012 00:00

Opozita dhe grupe të të drejtave të njeriut, organizata të tjera joqeveritare, vazhdojnë betejën e tyre politike në Rusi kundër kryeministrit Vladimir Putin.

Në Moskë, përballë Kremlinit u shpalos një banderolë gjigante. Ajo ishte 145 metër dhe mbante shkrimin “Putin ik”. Banderola është vendosur në orët e para të ditës së mërkurë nga “Solidarnost”, e njohur ndryshe si opozita e bashkuar ruse.

Por banderola ka qendruar vetëm 60 minuta përballë Kremlinit, koha e mjaftueshme për t’u filmuar dhe fotografuar nga njerëzit e për t’u hedhur në internet.

Pas 60 minutash policia hoqi banderolën pa asnjë incident të regjistruar me opozitën.

Lufta politike në Rusi është përshkallëzuar pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në ditët e fundit të 2011-s. Partia e Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar” mori shumicën e mandateve, por opozita e akuzon atë për manipulim të zgjedhjeve. Kritika për procesin zgjedhur u adresuan ndaj Moskës edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Zgjedhjet pasuan protesta që në disa raste degjeneruan edhe në dhunë e përleshje mes policisë dhe aktivistëve të opozitës. Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara se qendronin pas këtyre manifestimeve.

Sondazhet: Putin zgjidhet president

Megjithë kundërshtimin opozitar, Vladimir Putin mbetet një personazh i dashur për rusët. Kështu të paktën rezulton në një sondazh të fundit të kryer në 45 rajone ruse ku janë pyetur qindra persona.

Rezultati: 78 përqind e të anktuarve mendojnë se Putin do të zgjidhet president në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 4 mars të këtij viti, 53 përqind e tyre mendojnë se kryeministri aktual do të zgjidhet që në raundin e parë, pa qenë nevoja e mbajtjes së një turni të dytë, ndërsa 28 përqind mendojnë se Putin do të fitojë në balotazh dhe vetëm 4 përqind mendojnë se Putin mund të humbasë më 4 mars.

Putin synon të rikthehet në krye të presidencës ruse, post të cilin e ka mbajtur për 2 mandate, para se të linte detyrën në 2008-n pasi kushtetuta nuk i lejonte kandidimin.
 

Top Channel