Pakistani, jo “protokoll i fshehtë” me talebanët

01/02/2012 15:20

Ministrja e Jashtme e Pakistanit përgënjeshtroi spekulimet se vendi i saj është duke zhvilluar bisedime të fshehta me talebanët, në përgjigje të një raporti sekret të NATO-s, që fliste për takime midis militantëve dhe zyrtarëve të lartë të Islamabadit.

Duke folur përkrah homologut të saj në kryeqytetin afgan, Kabul, Hina Rabbani Khar i cilësoi spekulimet si një “verë e vjetër, në një shishe edhe më të vjetër”. Ajo kritikoi ashpër raportin, që akuzonte Shërbimet Sekrete të Pakistanit për asistencën e dhënë vazhdimisht për talebanët.

Koloneli Jimmie Cummings, një zëdhënës i misionit të NATO-s në Afganistan, qartësoi se “dokumenti ishte i klasifikuar dhe kishte si synim vetëm përdorimin e tij të brendshëm. Nuk ka qenë asnjëherë qëllimi i NATO-s që ta lëshojë atë në publik”.

Sipas korrespondentetit të BBC-së në Kabul, dokumenti përbën një goditje të fortë për Islamabadin, i vendosur edhe më parë në qendër të kritikave, për shkak të angazhimit të dyshimtë në luftën kundër ekstremizmit fetar.

Publikimi erdhi disa ditë pasi talebanët bënë të qartë se nuk kanë ndërmend të angazhohen në bisedime me qeverinë afgane, siç ishte planifikuar të ndodhte në Arabinë Saudite.

”Nuk ka asnjë të vërtetë në raportet e publikuara se një delegacion i talebanëve do të takohet me përfaqësuesit e qeverisë së Karzait në Arabinë Saudite në të ardhmen e afërt”, konfirmoi përsëri, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.

Ndonëse së fundmi është konstatuar një qetësi relative në Afganistan, ekziston frika se talebanët po përmbajnë qëllimisht sulmet ndaj NATO-s, për t’u hedhur në aksion pas tërheqjes përfundimtare të trupave të aleancës, në vitin 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA