Jemen, sulm bastioneve të Al Kaedës

31/01/2012 08:50

Të paktën 11 persona janë vrarë në një sulm ajror ndaj militantëve të Al Kaedës në jug të Jemenit, kanë njoftuar banorët dhe autoritetet lokale.

Një lider tribal ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se të paktën katër nga të vdekurit ishin liderë të degës lokale të Al Kaedës.

Raportohet se ata janë sulmuar nga një avion i telekomanduar në provincën e Abjanit, të cilën militantët islamikë filluan ta merrnin nën kontroll vitin e kaluar.

Forcat e sigurisë janë përpjekur më kot t’i largojnë ata prej andej, por vetëm sa kanë pësuar humbje të rënda në radhët e tyre.

Detajet e ngjarjes janë ende të paqarta, por disa raportime sugjerojnë se dy makina që udhëtonin njëra pas tjetrës janë qëlluar në lindje të qytetit të Laudarit.

Agjencia e lajmeve “AFP” ka mësuar nga burime tribale se një pikë kontrolli dhe një shkollë ku natën mbaheshin takime të krerëve të Al Kaedës janë qëlluar katër herë gjatë natës.

Lideri rajonal i Al Kaedës, Abdul Monem al Fahtani është mes të vdekurve, kanë deklaruar burimet.

“Ne mendojmë se sulmet janë kryer nga avionët amerikanë”, ka thënë për “AFP” një burim tribal që preferoi të ruante anonimatin.


Panetta: Al Kaeda përbën rrezik real

Disa ditë më parë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta deklaroi se Al Kaeda nuk është mposhtur ende dhe vazhdon të përbëjë një kërcënim real.

Në një intervistë për CBS, shefi i Pentagonit bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara po ndjekin nga pas rrjetin ndërkombëtar të terrorizmit kudo që ndodhet.

Pyetjes a është mposhtuar Al Kaeda ai iu përgjigj: “Ende jo. Ajo përbën ende një kërcënim real, vazhdon të jetë atje jashtë dhe ne duhet të vazhdojmë ta mbajmë nën presion”.

Edhe pse organizata terroriste është dobësuar dhe ka mbetur “jetime” pas vrasjes së Osama bin Laden, celulat e saj vazhdojnë të jenë të pranishme si në vendet-bazë të saj ashtu edhe në ato perëndimore.

Aktualisht në krye të saj mendohet se është mjeku egjiptian Ayman al Zawahri, krahu i djathtë i Bin Laden, dhe truri operacional i sulmeve të 11 shtatorit.

Ndër bazat kryesore të organizatës konsiderohet Jemeni, vend që gjithësesi nuk ka lejuar dislokimin e trupave të huaja, ndërkohë që aleatët e saj janë pothuajse të gjitha grupimet ekstremiste si talebanët, grupi somalez Boko Haram, Hezbollahu, etj.

Top Channel