Francë, ligji i genocidit armen në gjykatë

31/01/2012 16:30

Një ligj që e bën të dënueshëm deri në një vit burg mohimin e genocidit armen në Francë ka mbërritur në Gjykatën e Lartë, pasi u miratua më parë në të dy dhomat e Parlamentit Francez.

Ligji, i cili ka provokuar një reagim të ashpër të Turqisë, i referohet vrasjes së rreth 1,5 milion armenëve nga Perandoria Osmane, gjatë Luftës së Parë Botërore, në atë që konsiderohet si shfarrosja e dytë më e madhe e popullsive pas Holokaustit.

Megjithatë, historiografia turke e përgënjeshtron këtë version, duke e vendosur numrin e civilëve armenë të vrarë në 300 mijë, edhe ata si viktima të zonave të luftimit apo si dezertorë në radhët e ushtrisë ruse.

Pas miratimit të ligjit, i cili ka ngjallur debate të shumta dhe ka sjellë një ftohje të menjëhershme të marrëdhënieve midis Parisit dhe Ankarasë, një grup senatorësh i dërguan një kërkesë për ekzaminimin e kushtetuetshmërisë së ligjit Gjykatës së Lartë.

Presidenti Nicolas Sarkozy është shprehur se do të presë vendimin e gjykatës, përpara se të firmosë ligjin e konsideruar nga Turqia si “racist”.

Ndonëse Franca e konsideronte që më parë masakrën e armenëve në vitet 1915-16 si një akt genocidi, vendimi i ri i parlamentit bën që të gjithë ata që do ta mohojnë këtë ngjarje të përballen me gjoba të rënda deri në 45 mijë euro ose një vit burg.

Top Channel