“Armenët”, senatorët apelojnë ligjin

31/01/2012 00:00

Një grup senatorësh francezë kanë depozituar një apel në Këshillin
Kushtetues, kundër ligjit që sanksionon mohimin e genocidit të armenëve,
i miratuar më 23 janar.

Ligji shkaktoi polemika të ashpra nga ana e Turqisë, që është dhe partner strategjik i Francës në shumë sektorë.

Firmat e senatorëve, si të së djathtës ashtu edhe të së majtës, për apelin drejtuar Këshillit Kushtetues janë për momentin 72.

Një ditë pas miratimit të ligjit në senat, Ministria e Jashtme turke reagoi duke e cilësuar vendimin si “të papërgjegjshëm” e duke kërcënuar se do të marrë masa shumë shpejt.

Ndërsa kryeministri turk Recep Tayip Erdogan e cilësoi projekt/ligjin e miratuar si një vendim “racist” që vret lirinë e mendimit.

“Ky është racizëm dhe një qëndrim diskriminues dhe nëse ju nuk e shihni këtë, atëherë jeni të shurdhër ndaj avancimit të fashizmit në Evropë”, deklaroi Erdogan.

Duke folur përpara Parlamentit të Ankarasë, Erdogan theksoi se: “Ne do të presim dhe do të shohim zhvillimet e më pas do të vendosim se si t’u përgjigjemi atyre”.

Ndërsa dy ditë më vonë Turqia paralajmëroi presidentin francez Nicolas Sarkozy që të mos e firmosë ligjin, duke argumentuar se një lëvizje e tillë do t’i jepte një goditje të rëndë marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërsa ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe i bëri thirrje Ankarasë që të mos bëjë veprime të nxituara e të ruajë qetësinë.

Top Channel