Referendumi skocez për pavarësinë nga Britania

25/01/2012 16:30

Kryeministri i Skocisë, Alex Salmond, informoi se ka ndërmend t’i drejtojë bashkëkombasve një pyetje të qartë, në referendimin për pavarësinë e vendit nga Britania e Madhe, i programuar për t’u mbajtur së shpejti.

Lideri i Partisë Nacionaliste Skoceze, informoi se pyetja e referendumit, të cilin ai ka kërkuar për ta mbajtur në vitin 2014, do të jetë: “A jeni dakord që Skocia të shndërrohet në një vend të pavarur?”. Zgjedhësit do të kenë vetëm dy opsione për t’u përgjigjur, po ose jo.

Megjithatë, Salmond nuk përjashtoi mundësinë që të përfshihen edhe disa klauzola, për çështje delikate që do të duhet të kishin mbështetjen popullore, në rregullimin që do të kryhet me Anglinë për daljen nga unioni i Britanisë së Madhe.

Ai shtoi se e sheh të arsyeshme që të bëhet një përjashtim dhe të lejohen edhe 16 e 17-vjeçarët të votojnë, për të shprehur mendimin e tyre mbi të ardhmen e kombit.

Në një komunikatë, Salmond u shpreh se ky do të jetë vendimi më i rëndësishëm në historinë e 300 viteve të fundit të vendit. “Për këtë arsye, është e domosdoshme, që debati për pavarësinë ose jo të jetë gjithëpërfshirës dhe të arrijë standartet më të larta të ndershmërisë e transparencës”.

Partia e dytë më e madhe në Skoci, gjithashtu e mbështet referendumin për pavarësinë. Nëse viti 2014 do të pranohet për mbajtjen e këtij referendumi, atëherë ai do të përkojë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

”Vendi ynë është i bekuar me burime të shumta natyrore, njerëz të mençur dhe një shoqëri të shëndetshme. Kemi një sistem të pavarur arsimor dhe gjyqësor. Skocia ka një reputacion të respektuar ndërkombëtarisht. Besoj se nëse lidhim pasurinë e tokës sonë me mirëqënien e skocezëve, do të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, u shpreh Salmond.

”Si një vend i pavarur, Skocia do të merrte vendin që meriton në bashkësinë e kombeve, ndërsa do të vazhdonte miqësinë e mirë me shtetet e tjera të këtij ishulli”, shtoi ai.

Sidoqoftë, çështja e pavarësisë nga Britania e Madhe pritet të jetë e ndërlikuar, pasi në bazë të marrëveshjes aktuale të unionit, Londra subvencionon programe të shumta ekonomike në vend, ndërsa rezervat e naftës së zbuluara në veri të Skocisë konsiderohen si një pronë “britanike”. Në total, Skocia përbën 30% të territorit të Britanisë së Madhe.

Top Channel